Mungesa e vazhdimësisë është një cilësi që po shoqëron Manchester Unitedin e viteve të fundit dhe natyrisht që nuk bën përjashtim as ky sezon, ku “djajtë e kuq” kanë humbur sot një tjetër rast për të rihapur shanset për një vend në zonën Champions. Pas dy humbjeve radhazi ndaj Liverpool dhe Burnley, Solskjaer kishte kërkuar reagimin dhe 3 pikët sot përballë Wolverhampton, ndërsa kishte hedhur në fushë që nga minuta e parë edhe blerjen më të re, portugezin Bruno Fernandes.

Ky i fundit ishte protagonist në pjesën e parë, pasi lëvizte në të gjithë hapësirën e fushës dhe tentoi me disa goditje nga distanca, por pa arritur të vërë në vështirësi bashkëkombësin e tij, portierin e Wolves Rui Patricio.

Edhe pjesa e dytë pati të njëjtën tablo si e para, ndërsa pavarësisht zëvendësimeve të Solskjaer, Manchester United dominoi vetëm kontrollin e topit, pa arritur ta konvertojë në raste të pastra shënimi.

Mundësia më e mirë për të festuar tre pikët erdhi vetëm në sekondat e fundit, kur pas një krosimi në zonë, Diogo Dalot u lirua para portës dhe gjuajti menjëherë në portë, por topi përfundoi jashtë.

Pas javës së 25-të Manchester United dhe Wolves mbeten në kuotën e 35 pikëve, përkatësisht në vendin e 6 dhe të 7, ndërsa situata te “djajtë e kuq” nuk është aspak e qetë, pasi pak ditë më parë tifozët sulmuan shtëpinë e drejtuesit Ed Woodward.

Top Channel