Kanë kryer shkelje të rënda ligjore gjatë kryerjes së detyrës. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat shumë punonjës të Hipotekës në Beratit. Burime të brendshme e të besueshme në Prokurorinë e Beratit, konfirmojnë se, 10-ditë më parë KLSH-ja solli në këtë institucion dosjen në ngarkim të punonjësve të hipotekës së Beratit.

Burimet nga Prokuroria e Beratit, konfirmojnë se, kjo dosje i është deleguar njërit prej prokurorëve të këtij institucioni dhe prej disa ditësh ka filluar zyrtarisht hetimi. Kontrolli i KLSH-së është kryer në periudhën kur Hipoteka ka qënë e ndarë nga ALUIZNI.

Në hetim përfshihen regjistrues, përgjegjës sektori dhe specialistë të zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, mes tyre edhe ish/drejtues të këtij institucioni.

Sipas KLSH-së, këta persona dyshohet të kenë kryer “shkelje ligjore” gjatë shumë praktikave të rasteve të regjistrimit të pronave dhe pasurive të paluajtshme në qarkun e Beratit.

Vetëm në 2019 në institucionin e hipotekës janë kryer jo më pak se katër lëvizje në postin drejtues si dhe në drejtim të stafit ku nuk kanë munguar edhe pezullime nga puna.

Top Channel