Iu prish shtëpia nga tërmeti, Rama dhe Veliaj vizitojnë familjen Vladi: 1118 familje përfituan bonus qiraje

10/12/2019 11:51

E mbetur e pastrehë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, familja e Myrvejete Vladit nga Tirana ka mundur të akomodohet në shtëpi komode falë bonusit të qirasë që ka përfituar nga Bashkia e Tiranës.

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizituan sot shtëpinë ku është strehuar përkohësisht familja Vladi, ndërsa garantuan kryefamiljaren se do ketë mbështetjen e gjithë strukturave shtetërore deri sa të ndërtohet shtëpia e re. Kryebashkiaku Veliaj informoi kryeministrin se ashtu si familja Vladi kanë përfituar bonus qiraje edhe mbi 1100 familje të tjera, të cilat po ashtu janë sistemuar në shtëpi me qira deri në rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.

“Dje kaluam edhe 266 qira të tjera, kemi vajtur fiks 1118. Kishim edhe disa raste speciale, pra për Ajtanga Lubonjën , për të gjithë ish-të përndjekurit, edhe e gjithë ajo që ndodhi, i thashë edhe këtyre të shoqatave, sa bëni statuse në facebook dhe hartime, me 2 rreshta, ja zonja e di vetë, me 2 rreshta, vetëm kopja e kartës dhe ne i kaluam. Kështu që në momentin që lanë hartimet në facebook dhe u fokusuan ta zgjidhin, u zgjidh për 2 minuta”, tha Veliaj.

Ai gjithashtu u shpreh se Këshilli Bashkiak pranoi akt-konstatimet e Institutit të Ndërtimit që i shpalli 10 godinat në Universitetin Bujqësor të Kamzës si të rrezikshme për jetën e njerëzve dhe vendosi që ti shemb ato. Gjithashtu Veliaj bëri të ditur se edhe banorët që janë strehuar aty do trajtohen me bonus qiraje, ndërsa për studentët do kompensohen.

“Do bëjmë edhe një mbledhje tjetër për të gjithë këta të Kodër Kamzës, vendimin e morëm dje në Këshill Bashkiak, do prishen të 10-ta, pra edhe 8 të zaptuarat, edhe 2 konviktet e vjetra. Janë konvikte që janë bërë me punë vullnetare, pra vinte vajza studente dhe ndërtonte dhomën e vet. Ajo kontabiliste, financa, veterinaria, ortikulturë, çfarë kanë pasur atëherë dhe ndërtonte llaç e tulla. Kështu që edhe ata që thonë hoqën vetëm ato të zaptuesve dhe jo të studentëve, e kanë gabim se aty po i prishim të 10-ta, sipas porosisë që ju latë dhe sipas Institutit të Ndërtimit. Kështu që do bëjmë një mbledhje të fundit për atë paketë”, shtoi Veliaj.

Ndërkohë kreu i qeverisë dha lajmin e mirë se shumë shpejt pritet edhe finalizimi i marrëveshjes me një nga kompanitë më të mëdha turke e njohur për ndërtimet e saj edhe në Amerikë, për të bashkëpunuar për fazën e rindërtimit. Rama tha se kjo kompani është e njohur në tregun botëror për prodhimin e shtëpive ekologjike dhe antisizmike dhe që ulin edhe faturat e energjisë pasi kanë një termoizolim të shkëlqyer.

“Shpresoj se do realizojmë një marrëveshje me një kompani shumë të madhe turke që është në gjithë tregun botëror për shtëpi ekologjie antisizmike. Është super. Ata i shesin në Amerikë përgjithësisht se atje nuk ndërtojnë me mure dhe me suva, por me betone special të lehta. Nesër do shkojë një ekip atje. Kemi bashkë me këta të organizatave dhe nëse do e mbyllim atë marrëveshje me ta do bëjmë një rindërtim shumë të shpejtë të shtëpive. Vijnë gati, montohen. Praktikisht, ka disa opsione, ne do rrimë në atë mesataren mes 75 dhe 100 metrave sipas familjes. Të gjithë ata që e kanë shtëpinë të dëmtuar që nuk bëhet shtëpia, do kenë një shtëpi më të mirë se ajo që kishin pa diskutim. Shpresoj që ta mbyllim këtë marrëveshje këtë javë dhe do kemi mundësi që të sistemojmë me shumë shpejtësi”, deklaroi Rama.

Top Channel