Naftën e kuqe, e blejnë më lirë në treg të zi për ta shfrytëzuar në veturat e vjetra dhe makineritë e bujqësisë, pa u shqetësuar se ndotin ajrin. Mbi 40 mijë tonelatë naftë e kuqe keqpërdoret çdo vit, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Sipas të dhënave të tyre, nevojat për shpenzimin e derivatit ekstra të lehtë për ngrohjet qendrore është nga 8-10 mijë tonelatë në vit. Shitja e naftës së kuqe vjet ka arritur deri në 44,657 tonelatë, thotë dokumentet e këtij resori. Alsat javën që shkoi ngriti çështjen për mos vënien në funksion të laboratorit mobil për të parandaluar këto keqpërdorime, ndonëse u ble para 6 muajve nga Byroja e Metrologjisë në vlerë prej 512 mijë eurove.
Në vendin tonë ka në një lloj mënyre keqpërdorim të naftës së kuqe, por është me rëndësi të theksohet fakti se deri tani shteti nuk ka poseduar laborator ku ka mundur t’i bëjë analizat në mënyrë të pavarur, për shkak se kanë ekzistuar dy laboratorë tjera, të cilat kanë qenë në pronësi private dhe si vlerë e shtuar e këtij laboratori është mobil dhe mund të bëj ekzaminime edhe gjatë importit të derivateve të naftës- deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Deri më tani Instituti për akreditime ka autorizuar dy laboratorë privatë për kontrollin e cilësisë së derivateve të naftës, i Rafinerisë OKTA dhe Kompanisë Makpetrol. Për shitjen me pakicë të derivateve të naftës në gjithë shtetin operojnë gjithsej 320 pika të karburanteve. Shpenzimi i derivateve të naftës për vitin 2018, vijon.

Shpenzimi i derivateve të naftës për vitin 2018

Dizel – 573.969 tonelatë

Benzinë – 98.965 tonelatë

Gaz (TGN) – 77 834 tonelatë

Naftë e kuqe (EL) – 44 657 tonelatë

Mazut – 65 287 tonelatë

Ministri Kreshnik Bekteshi paralajmëroi që laboratorin mobil do të del në terren me operacione sekrete, funksionimi i së cilit mori dritë jeshile në seancën e fundit qeveritare. Alsat siguroi edhe marrëveshjen e funksionimit ndërmjet Byrosë së Metrologjisë dhe Inspektoratit shtetëror të tregut.

Nga java e ardhshme laboratori mobil mund të vihet në funksion, me përfundimin e të gjitha procedurave dhe kontrollet që do bëhen nga ky laborator do të jenë valide edhe për Inspektoratin e tregut, por njëkohësisht edhe nëse ka ankesa nga subjektet do të jenë valide edhe për gjykatat- shtoi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Sipas të dhënave zyrtare vitin e kaluar janë shpenzuar mbi 978 mijë tonelatë derivate të naftës në vend, prej të cilave më e preferuara mbetet dizeli me mbi 60%. Kurse, shpenzimi i derivatit ekstra të lehtë të njohur si nafta e kuqe, nga viti 2006 është zvogëluar për 3,5 herë më pak për ngrohjet qendrore. Për të reduktuar keqpërdorimet, shitja e këtij karburanti ndotës ndalohet nga 15 prilli deri më 15 tetor.

Top Channel