Vitrina e Librit/ Si artistët e Rilindjes sollën erotikën te masat

21/10/2019 10:44

Monika Stafa

Menjëherë pas hovit të madh teknologjik që njohu historia e njerëzimit, në mënyrë të pashmangshme, njeriu e shfrytëzoi atë për portretizimin e akteve seksuale, me qëllim kënaqësinë që shkaktonte tek shikuesit.

“Jo pak herë erotika ka qenë një nga forcat shtytëse që ka cuar drejt risive teknologjike,” shkruante John Tierney, një gazetar amerikan në vitin 1994, në ditët e para kur u themelua World Wide Web. Virtualisht gjithmonë, që prej skulpturës në Epokën e Gurit e deri në faqet e buletinëve që shfaqeshin në ekranin kompjuterik, erotika ka qenë shkasi për të lindur një medium i ri.

Sot erotika është demokratizuar. Ajo nuk kufizohet më vetëm në faqet e revistave sepse interneti favorizon këdo që me mjetet e tyre të hedhin aty videot amatore ose ta përdorin Instagramin si një mjet marketing-u, për të fituar ndonjë monedhë të vogël. Erotika vazhdon të tërheqë gjithmonë e më shumë sidomos atëherë kur personazhi /modeli kërkon të popullarizohet. Mjafton një tarifë e ulët abonimi mujor, dhe ti fiton me kohë më shumë shikues por dhe më shumë para.

Në Perëndim, sipërmarrja e parë në sjelljen e pornografisë/erotikës para publikut të gjerë erdhi papritur, me shpikjen e shtypshkronjës së Johannes Gutenberg, në vitin 1440. Botuesi gjerman krijoi makinën për të shpërndarë libra, më së shumti Biblën e shtypur në gjuhën e zakonshme të popullit. Shumë shpejt, ajo arriti të stmaponte dhe imazhe të vizatuara gjithashtu. Që këtej, makina e shtypit Gutenberg revolucionarizoi rrjedhën e imazhit dhe ideve të reja në Evropë.

Shumë shpejt, vepra arti të paekspozuara dikur u riprodhuan dhe i shkuan masave duke përbërë madje dhe një shkelje në publik. “Ishte kalimi nga sferat më të larta të shoqërisë drejt një publiku më të gjerë, shkaku i shqetësimit të qarqeve elitare të humanistëve dhe klerikëve të Kishës,” shkruan një kritik arti në katalogun që shoqëronte ekspozitën e vitit 2018-2019 me titullin ‘The Renaissance Nude’ në Akademinë Mbretërore të Arteve.

Afërsisht në të njëjtën kohë me revolucionin e makinës Gutenberg, artistët ringjallën lakuriqësinë në pikturë si një kthim në antikitet dhe si një mënyrë për të humanizuar shenjtorët. Komisione prestigjioze të pikturës për nudot e grave lulëzuan në të gjithë Evropën gjatë Rilindjes. Artistë të famshëm si Raphael-i dhe Botticelli krijuan një art që binte ndesh me ligjin, i destinuar vetëm për sytë e njerzve që i përkisnin një elite.

Por përtej kënaqësisë erotike, vepra të tilla arti kishin koncepte intelektuale. Ato erdhën si një performancë për një kastë të sipërme njerëzish për të shijuar nudot provokuese të pikturuara dhe të skalitura me mjeshtëri. “Kjo aftësi për të admiruar talentin që qëndron pas veprës së artit më shumë sesa t’i dorëzohesh dëshirës trupore tregon dhe virtytin e shikuesit,” shkruajnë kritikët në katalogun e ekspozitës ‘The Renaissance Nude’ në Londër. Plot tekste të lashta, si tregimet e dashurisë Ovidiane, u ringjallën prej shtypshkronjës duke qarkulluar nëpër Evropë si libërtha që ndezin të bukurën sensuale pa prekur banalitetin. Grekët dhe romakët i kishin imagjinuar perënditë e tyre si qenie seksuale ndaj dhe më pas erdhi si modë në epokën e Rilindjes.

Gjatë kësaj kohe, nudot femra vlerësoheshin për shkathtësinë e mendjes së tyre; ato kishin një gamë të gjerë qasjesh, që nga mëkatet e epshit dhe krenarisë e deri te dashuria, martesa, pjelloria dhe një varg virtytesh të tjera. Në kopshtet e oborreve të dinastisë Valois- Burgundy në Francë kishin oreks për figura epshore në artin e tyre, ndërsa në Itali dhe Evropën Veriore piktorët përshkruanin zonjat biblike si Eva, Delilah dhe Judith si qenie joshëse që sollën rrënimin e burrit. Edhe pse klerikët e Kishës Katolike porosisnin vepra erotike për kënaqësinë e tyre, ata e konsideruan seksin dhe lakuriqësinë si një tabu kur ai filloi të përhapej në popull në formatin e shtypur. Kur ilustrimet provokuese filluan të qarkullojnë gjerësisht, Kisha dha alarmin për ndihmë.

Nxënësi i Raphael-it, Giulio Romano u bë i njohur për vizatimin e dhomave private të elitës me afreske eksituese, duke përfshirë Pallatin e Frederikut të Dytë Guanzaga, Duka i Mantovas dhe rezidencat papale në Vatikan. Afresket e Romanos për Vatikanin vlerësohen si frymëzimi i veprës së parë pornografike të prodhuar për masën.

Më 1524, Marcantonio Raimondi, mjeshtër i skalitjes, kopjoi afresket e Romanos të cilat përshkruanin 16 çifte në pozicione të ndryshme seksi dhe e botoi atë me titullin ‘Mënyrat’. Marcantonio u burgos përkohësisht për punën e tij fillimisht në projekt dhe Papa Klementi i VII-të urdhëroi që kopjet të shkatërroheshin. (Disa fragmente të mbetura mund të shihen sot në Muzeun Britanik në Londër.)

Megjithatë kjo iniciativë u tërhoq dhe Kisha Katolike ra viktimë e efektit Streisand (kur përpiqesh të censurosh diçka, përfundon duke e promovuar atë). Megjithë përpjekjet më të mira të Papës, albumi “Mënyrat” vazhdoi të qarkullojë. Ky album madje frymëzoi një koleksion sonetesh erotike nga poeti Pietro Aretino, i cili publikoi një botim të dytë të “Mënyrat” me Marcantonio-n në vitin1527. Arti dhe teksti erotik shpesh ecnin paralelisht me njëri -tjetrin, por u desh më shumë se një shekull që pikpamjet e Libertinizmit që erdhi në Francën e epokës së Iluminizmit të shfaqej në letërsi. Një nga librat më të hershëm dhe më të njohur për pornografi ishte ‘Shkolla e Venusit’ që u botua në vitin 1680.

 

Top Channel