Koret raciste ndaj Anglisë/ Stoiçkov kërkon me lot në sy dënimin e vendit të tij

16/10/2019 18:18

Përballë koreve që imitonin majmunët dhe me parullat raciste në sfond në një ndeshje që presupozohet të bashkojë dhe të ndajë, legjenda e futbollit bullgar Hristo Stoiçkov u ndje i turpëruar duke kërkuar dënimin e vendit të tij.

Ish-sulmuesi i njohur iu bashkua zërave të shokuar për trajtimin aspak të denjë të futbollistëve të Anglisë në eliminatoren e fundit të Euro 2020 të zhvilluar në Sofje.

“Tifozë të tillë nuk duhet të lejohen në stadiume madje duhen dënime edhe më të rënda. Njësoj siç u bë në Angli vite më parë…5 vjet pa marrë fare pjesë në turne. Kështu, njëherë e mirë për të gjithë ata drogaxhinj që ishin. Po flas për kombëtaren time dhe të gjithë ato klube që bëhen protagonist kështu. Njerëzit nuk meritojnë të vuajnë. A mendoni se unë jam rehat kur flas kështu?…

Hristo Stoichkov konsiderohet futbollisti më i mirë i Bullgarisë për të gjitha kohërat dhe në daljen e tij në kanalin sportiv TUDN, nuk i përmbajti dot emocionet. Ai kërkoi dënime ekzeplare nga UEFA edhe pse bëhet fjalë për vendlindjen e tij, sanksione të njëjta që u vendosën pas tragjedisë së Hejsel në vitin 1985 kur humbën jetën 39 tifozë para një finaleje europiane.

Top Channel