Ekskluzive Top Story/ Presionet për votën, rrëfehet drejtoresha e shkollës në Dibër që doli në përgjime

15/10/2019 21:38

Kjo që shihni, është Gjylsime Topalli, drejtoreshë e shkollës së fshatit Kllopçisht në Maqellarë. Ajo ka qenë drejtoreshë e shkollës së Maqellarës dhe emri i saj, përmendet në bisedën e përgjuar mes Arben Keshit dhe Drejtorit Rajonal të Arsimit Drini Gjeçi. Në një raport që Partia Demokratike publikoi aso kohe, ajo akuzohet se u ka bërë presion nxënësve. Por, zonja Topalli ka reaguar për herë të parë për Top Story, duke dhënë një tjetër version.

Në raport, paradoksalisht shihet se Gjylsimja ka qenë dikur mbështetëse e Partisë Demokratike.

“Pikërisht unë, u kërcënova nga ish – deputeti Flamur Noka në atë kohë për kërcënim të mësuesve dhe nxënësve ndërkohë që unë asgjë skisha bërë, asgjë nuk kisha thënë nxënësve, mësuesve, unë i thashë në telefon zotit Noka që hajde flasim, kudo të jesh takohemi”, tregon Gjyslime Topalli, Drejtoreshë e Shkollës Kllopçisht.

Zonja Gjyslime rrëfen se ka pasur një takim me ish-deputetin Noka pas bisedës telefonike.

“E kërkova në Maqellarë, e takova, e sqarova, më sqaroi e në fund i thashë që më gjej një njeri në Maqellarë qoftë nxënës ose mësues e të them po, se e kam aq burrni”, tregon Gjyslime Topalli, Drejtoreshë e Shkollës Kllopçisht.

Ajo, tregon se pas zgjedhjeve, e shkarkuan nga detyra. Largimin e lidh pikërisht me telefonatën me ish-deputetin Noka, i cili sipas saj gëzonte pushtet pavarësisht se ishte në opozitë.

“Po të shohësh ngjarjet e mëvonshme unë nuk isha më drejtoreshë 3 ditë para se të mbyllej matura, e kjo tregon që aksesi i zotit Flamur ka qenë shumë i madh në Dibër dhe PD ka qenë shumë e fortë në Dibër”, tregon Gjyslime Topalli, Drejtoreshë e Shkollës Kllopçisht.

“Ajo çështje është duke hetuar por mesa di nuk ka apsur lëvizje të tilla nga puna dhe ska pasur pasoja te asnjë mësues që është penalizuar për shkak të votes ”, tregon Damian Gjiknuri, Ish–Kordinator i PS-së në Dibër.

Top Channel