Mbi 450 mijë udhëtarë vendas dhe të huaj kanë shfrytëzuar tragetet e linjave që lidhin portin e Durrësit me portet italiane të Barit, Ankonës dhe Triestes gjatë stinës së verës.

Nga të dhënat e Autoritetit Portual, bëhet e ditur se në periudhën 1 korrik deri në 15 shtator të këtij viti me tragetet në hyrje dhe dalje nga porti më i madh i vendit kanë udhëtuar 453,342 pasagjerë me 103,204 autovetura gjithsej.

Aktualisht, pas fluksit të bashkëatdhetarëve që preferuan lundrimin me tragete për të mbërritur për pushimet e verës pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni, si dhe kthimit në vendet ku jetojnë e punojnë, numri i udhëtarëve me tragete ka rënë.

Në të njëjtën periudhë, tragetet kanë transportuar 3,280 kamionë dhe trajler me mallra të ndryshme. Gjatë stinës së verës, çdo ditë drejt Durrësit dhe nga Durrësi lundronin 5 deri në 7 tragete, ndërsa aktualisht numri i tyre është 2-3 tragete në ditë.

Top Channel