Dyert e Top Channel do të hapen nesër për të pritur aplikantët e shumtë të Hell’s Kitchen Albania 2. Është koha për të përzgjedhur më të mirët, ata që do të garantojnë një edicion edhe më spektakolar, jo vetëm me aftësitë e tyre në kuzhinë por dhe me karakterin dhe energjinë për t’i shkuar lojës e sfidës së një “reality show”, deri në fund.

20- 21, dhe 22 Gushti do të shënojnë fillimin e audicioneve tek Piramida, ku stafi do të presë dhe intervistojë aplikantët, nga ora 16.00 deri në orën 20.00.

Faza e parë e audicioneve sjell në Tiranë shefa kuzhine me eksperiencë të gjatë, ndihmës shefa që duan të sprovojnë veten për një nivel më lart, por jo vetëm, pasi shumë prej aplikantëve janë garues me profesione të ndryshme që pasioni për kuzhinën i orienton në mënyrë krejt natyrale drejt Hells Kitchen Albania.

Ndryshe nga edicioni i parë i Hells Kitchen, përveç numrit të lartë të aplikantëve, sivjet bie në sy fakti se shumë prej tyre sjellin një frymë të re, nga restorantet e klasit të lartë deri te stilet e ndryshme të gatimit, pas eksperiencave të shkëlqyera që bartin nga brenda dhe jashtë vendit, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut si dhe nga Italia, Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, përveç tre datave të para, 20, 21 dhe 22 Gusht, produksioni do të ofrojë edhe tre data të tjera audicionesh, pikërisht në 27, 28 dhe 29 Gusht, sidomos për ata që jetojnë jashtë vendit ose ata që aktualisht janë pjesë e sezonit turistik,për t’i dhënë të gjithë aplikantëve mundësinë e artë për të qenë pjesë e Hells Kitchen Albania 2.

Të gjithë ata që ende nuk kanë aplikuar për Hells Kitchen 2, për të qenë në fazat e ardhshme të audicioneve, mund të aplikojnë përmes faqes së internetit top-channel.tv si dhe në faqet e rrjeteve sociale.

Hell’s Kitchen po ju pret për sfidën më të madhe të gatimit.

Eja sfidoje Djallin! Fituesi këtë here mund të jesh ti!

Top Channel