Festa e 243 vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që organizoi ambasada këtu në Tiranë mbrëmjen e së enjtes, i bëri bashkë presidentin Meta dhe kryeparlamentarin Ruçi, edhe pse shumica ka nisur hetimin parlamentar për kreun e shtetit që do të finalizohet me shkarkimin e tij. E ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Lejla Moses-Ones vlerësoi në fjalën e saj marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Së bashku, ne duhet të vazhdojmë të ndjekim vlerat dhe idealet tona perëndimore. Ne duhet të vazhdojmë të mbrojmë lirinë nga korrupsioni, lirinë për të zgjedhur se cilët jemi dhe se çfarë besojmë dhe çfarë themi, lirinë për të krijuar një gjyqësor të pavarur, dhe lirinë për të studiuar, punuar dhe ndjekur lumturinë. Ndërsa Shqipëria punon drejt këtyre lirive dhe vazhdon të ndërtojë institucione të forta demokratike, Amerika do të qëndrojë në krahun tuaj”- tha Lejla Moses-Ones.

E ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë e cilësoi si të jashtëzakonshëm bashkëpunimin e këtij viti, ndërsa theksin e veçantë e vendosi te reforma në drejtësi dhe ngritja e institucioneve të reja.

“Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm gurësh kilometrikë. Lidhjet tona dypalëshe dhe shumëpalëshe ushtarake, të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit janë më të ngushta se kurrë përmes investimeve si Baza Ajrore e Kuçovës, shkëmbimet tona akademike dhe kulturore po lulëzojnë, reformat e sektorit të drejtësisë janë duke ecur përpara me organet e pavarura të KLP dhe KLGJ të themeluara dhe duke punuar fort për të ngritur SPAK, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe gjykatat më të larta. Kemi shtuar përpjekjet për të forcuar median dhe për të ndërtuar shoqërinë civile dhe për të ndihmuar kushtet për një rritje të fortë ekonomike”- u shpreh Lejla Moses-Ones.

Të pranishëm në festë ishin politikanë, njerëz të medias, artit dhe biznesit. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte në shoqërinë e ish-Ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj, ndërsa nuk ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama. Mbrëmjen e shoqëroi grupi i forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara në Europë, “Wings of Dixie” të cilët sollën traditën e madhe amerikane të xhazit Dixieland.

Top Channel