Zvarritje prej dy vitesh të blerjes së pajisjeve për fëmijët, një tender pengon dëgjimin

21/06/2019 15:25

Presioni korruptiv i kompanive mjekësore në bashkëpunim me komisionin e prokurimit publik është duke lënë pa trajtim prej vitesh qindra pacientë, të cilët nuk dëgjojnë.

Një inovacion mjekësor, i quajtur implanti koklear, u mundëson mjekëve të ndërhyjnë për të rikthyer përfundimisht dëgjimin tek pacientët me probleme të lindura apo që e kanë humbur këtë funksion për shkak të dëmtimeve në vesh.

Por procedura kryhet vetëm në disa spitale private, ndërsa në publik ofrimi i këtij shërbimi vazhdon të zvarritet duke penguar tenderin. Historia nis në vitin 2014, kur qeveria vendosi që ky shërbim të ofrohej edhe në spitalet publike. Por për katër vite rresht procesi u zvarrit nga fondi i sigurimeve të kujdesit shëndetësor, i cili nuk financonte paketën me pretendimin se nuk kishte para. Kalvari u duk se mori fund në vitin 2017, me ndërhyrjen e kontrollit të shtetit, i cili pasi evidentoi shtyrjen në kundërshtim me ligjin e detyroi fondin e sigurimeve të çelte menjëherë financimet për implantin koklear. Pas katër vitesh ngërçi, më në fund tenderi për implantin u hap në qershor të vitit të kaluar dhe pacientët nisën të shpresonin se do të merrnin trajtimin e munguar.

Por sapo QSUT shpalli tenderin, procedura u ankimua. Kompania Evita sh.p.k e cila zotëron 85 për qind në koncesionin e dializës dhe e lidhur ngushtë me një spital privat, e ankimoi tenderin në Komisionin e Prokurimeve Publike duke kërkuar ndryshimin e kritereve.

Komisioni i Prokurimeve e pranoi ankesën në korrik të 2018-ës dhe tre muaj më pas mori vendim duke ndryshuar mbi 20 kritere. Bazuar në urdhrin e komisionit Spitali Nënë Tereza i ndryshoi kriteret dhe e rishpalli sërish tenderin. Por procedura u ankimua sërish. Këtë herë nga një person fizik i quajtur Luan Sollaku. Edhe këtë herë objekti i ankimimit ishin prapë kriteret, ato të ndryshuara nga Komisioni i Prokurimit, të cilat sipas këtij operatori kufizonin garën.

Komisioni e pranoi edhe ankesën e dytë dhe në dhjetor i ndryshoi prapë kriteret e tenderit. Pas shtyrjeve pa fund për shkak të ankimimeve dhe ndërhyrjeve nga Komisioni i Prokurimit, QSUT e hapi garën e tretë në shkurt të këtij viti. Por këtë herë në tender nuk pati asnjë ofertë, pasi asnjë nga kompanitë nuk përmbushi kriteret e vendosura dhe të ndryshuara nga Komisioni i Prokurimit.

Top Channel