Gjatë ndalesës së tij në Britani, ku po zhvillon një sërë takimesh së bashku me delegacionin e përbërë nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, si dhe ish-deputetët Aldo Bumçi dhe Xhemal Gjunkshi, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se opozita nuk do të lejojë taksë për rrugën Tiranë-Durrës.

“Mua m’u ngarkua si detyrë ndërtimi i rrugës dhe më dhemb në zemër të shoh që diçka që u bë me lekët e shqiptarëve, tani u kërkojnë shqiptarëve të paguajnë dy apo trefish. Paguajnë edhe taksën e rrugës, edhe taksën e qarkullimit. Asnjëra prej tyre nuk do të ekzistojë kur PD-ja të jetë në pushtet. Pse nuk do të ekzistojnë? Sepse të dyja varfërojnë shqiptarët. Duke i hequr këto të dyja, ne mundësojmë që të ketë më shumë qarkullim”, tha Basha.

Argumentin e tij, ai e vijoi më tej me ndryshimin mes politikës së qeverisë së sotme dhe asaj që do të vijë, sipas tij.

“Kjo është ndarja me thikë midis atyre që e kanë mendjen vetëm te taksat, vetëm te shtrëngimi, që është Shqipëria e frikës, dhe Shqipërisë së lirisë. Shqipëria dhe shqiptarët do të pasurohen shumë më shumë me taksa të ulëta, sepse do të kenë më shumë motiv për të punuar dhe vetëm puna dhe nisma e lirë e pasuron një komb”, tha kreu i Partisë Demokratike.

Top Channel