San Francisco ndalon teknologjinë e njohjes faciale: Shkel të drejtat e njeriut

15/05/2019 08:19

Ligjvënësit në San Francisco kanë votuar pro ndalimit të njohjes faciale, duke u bërë kështu qyteti i parë amerikan që vepron në këtë mënyrë. Teknologjia në fjalë nuk do të lejohet të përdoret nga agjencitë lokale, si për shembull autoritetet e transportit publik apo ato ligjzbatuese.

Veç kësaj, kushdo që planifikon të blejë tashmë ndonjë lloj teknologjie mbikëqyrëse duhet të kërkojë më parë miratimin e administratorëve të këtij qyteti.

Kundërshtarët e kësaj mase thonë se do të rrezikohet siguria e njerëzve, sikurse do të pengohen edhe përpjekjet për të luftuar krimin. Ndërkohë, ata që janë në favor thonë se teknologjia, kështu siç ekziston sot është e pabesueshme dhe përfaqëson një shkelje të panevojshme të privatësisë dhe lirive të njeriut. Kush e kundërshton njohjen faciale argumenton se sistemi në fjalë është pronë e gabimeve, veçanërisht kur bëhet fjalë për gratë apo njerëzit me ngjyrë.

“Me këtë votim, San Francisco deklaron se teknologjia e njohjes faciale është e papërshtatshme me një demokraci të shëndetshme dhe se banorët meritojnë të dëgjohen në lidhje me vendimet për mbikëqyrjen high-tech”, tha Matt Cagle i Unionit amerikan të Lirive Qytetare (ACUN) në Kaliforninë e Veriut.

“Ne përgëzojmë qytetin në fjalë që ka dëgjuar komunitetin dhe po udhëheq me këtë legjislacion tejet të rëndësishëm. Edhe qytete të tjera duhet të marrin shembull dhe të vendosin masa të ngjashme mbrojtëse për të mbrojtur sigurinë dhe të drejtat e njeriut”, tha më tej ai.

Ligji kaloi me 8 vota pro dhe 1 kundër, ndërsa dy administratorë abstenuan. Masa pritet të hyjë në fuqi pas një votimi të dytë javën e ardhshme. Rregulli i ri nuk do të aplikohet për masat e sigurisë në aeroportin dhe portet detare të San Franciscos, pasi ato drejtohen nga agjencitë federale dhe jo ato lokale.

Top Channel