Irani e Pakistani ngrenë një forcë të përbashkët për patrullimin e kufirit

23/04/2019 01:19

Irani dhe Pakistani do të formojnë një forcë të përbashkët reagimi të shpejtë, për të luftuar veprimtarinë militante në kufirin e tyre të përbashkët, tha të hënën presidenti i Iranit Hassan Rouhani gjatë një konference shtypi me kryeministrin e Pakistanit, Imran Khan.

Ky i fundit arriti në Iran të dielën për të diskutuar çështjet e sigurisë dhe sfidat rajonale, njoftoi televizioni shtetëror iranian, një ditë pasi Islamabadi i kërkoi Teheranit të vepronte kundër militantëve, pas vrasjeve në provincën e Baluchistanit të Pakistanit.

Marrëdhëniet mes Iranit dhe Pakistanit janë tensionuar në muajt e fundit, me të dy palët që akuzojnë njëri-tjetrin se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të larguar militantët që supozohet se strehohen përgjatë kufirit.

“Ne ramë dakord të rrisim bashkëpunimin e sigurisë të të dy vendeve, forcave tona kufitare, forcave tona të inteligjencës”, tha Rouhani gjatë konferencës, e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror. “Dhe gjithashtu për të formuar një forcë të përbashkët reagimi të shpejtë në kufirin e të dy vendeve për luftimin e terrorizmit”.

Khan tha se aktiviteti militant në kufi mund të jetë një burim tensionesh.

“Arsyeja më e rëndësishme përse jam këtu, zoti President, është sepse mendova se çështja e terrorizmit do të rritë dallimet mes vendeve tona”, tha Khan gjatë konferencës së përbashkët për shtyp. “Pra, ishte shumë e rëndësishme për mua që të vija këtu dhe të vija me shefin tonë të sigurisë që ta zgjidhim këtë çështje”.

Top Channel