“Engjëjt e Amerikës”. Vepra ngjitet në skenën ArTurbina nga regjisori Arben Kumbaro

19/04/2019 16:37

Nuk ka vepër më të rëndësishme të Teatrit Bashkëkohor sesa “Engjëjt e Amerikës”. Një vepër shumëdimensionale e gjithëpërfshirëse.

Aty flitet për dashurinë, për seksin, për homoseksualetin, për fenë, për politikën, për Zotin, për të ndryshmit nga ne, për kuptimin e jetës.

Regjisori Arben Kumbaro vë në jetë premierë më 27 prill ArTurbina këtë vepër, projektin e tij të kahershëm që tashmë kushtet i ishin pjekur për ta sjellë për publikun e Tiranës.

“Shpresoj që publiku i Tiranës ta mirëpresë.Është provokative.Them që do të ngjallë debate. Them se është një apel për të reflektuar tek vetja. Për të kuptuar të ndryshmit nga ne. Duke filluar që nga problemet e seksit, nga problemet e dashurisë, qasjet politike, qasjet fetare”, deklaroi Kumbaro.

Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Nju Jork në vitet ‘90, koha e Presidentit Regan. Kjo është koha kur ndodhi dhe ngjarja më e madhe e epokës sonë: rënia e murit të Berlinit. Shoqëria njerëzore u vu në kërkim të “Armikut të Ri” duke e gjetur atë tek të ndryshmit e saj, nga përkatësia racore, fetare, kulturore apo prirjet seksuale.

Prandaj, autori e ka quajtur pjesën e dytë të “Engjëjve të Amerikës” që regjisori i paraqet publikut shqiptar “Perestrojka”: “Pa dyshim që është një projekt shumë i vështirë. Është një projekt i kahershëm imi. Kam hezituar për shumë arsye, më në fund vendosa që ta ve në skenë. Është vepra më ambicioze e dekadave të fundit e dramaturgjisë botërore”.

Genti Deçka, Laert Vasili, Luiza Xhuvani, Helidon Fino etj. do të interpretojnë një nga kryeveprat e dramaturgjisë bashkëkohore nga Tony Kushner. Fitues i Tony Aëards”, “Pulizer Prize”, e censuruar nga vetë Amerika etj: “Tony Kushner ka marrë medaljen e artë nga Presidenti Obama në 2013 dhe është një nga personalitet më të mëdha të letërsisë dhe dramaturgjisë amerikane. Për mua është një gjeni i letërsisë”.

Top Channel