Në atë shtëpi jetonte një grua që priste të bëhej sërish nënë. Një 3-vjeçar luante në oborrin vetëm pak metra larg repartit të vdekjes. Ajo ishte shtëpia e prindërve dhe vëllait të Afrim Deliut, i cili prej 3 muajsh gjendej në Afganistan. Pjesëtarë të familjes së Afrimit u prekën nga shpërthimi i fuqishëm i Gërdecit, mes të cilëve pati të vdekur dhe të plagosur rëndë.

Më 15 marsin e vitit 2008, atëherë kur ndodhi tragjedia që mori emrin e fshatit Gërdec, në vendin nga ku raportoi gazetarja Anila Hoxha ndodhej shtëpia e familjes Deliu. Nga 26 të vrarë gjatë asaj tragjedie, familja Deliu humbi 5 anëtarë të saj, më i vogli Flavio. Koha ka bërë efektin e saj, i ka zhdukur gjurmët e kësaj tragjedie, por jo në zemrat e atyre që humbën familjarët dhe të dashurit e tyre.

“Babin që quhej Qemal Deliu, mamin Korre Deliu, vëllain Jetmir Deliu, nusen Liljana Deliu, dhe djalin e vogël Flavio. Nusja ishte shtatzënë 6-muajshe”, shprehet Uran Deliu.

Uran Deliu ishte në shtëpi kur ndodhi shpërthimi i fabrikës së demontimit, gjatë të cilës humbi familjen.

“Kam qëndruar para shtëpisë aty, pashë vëllain që u gjakos. Mamin që ka ardhur e djegur, e që doli atje për të shpëtuar fëmijët e vet. Ishte djegur e gjitha po donte të shpëtonte fëmijët. Bërtisja për njerëzit e tjerë që kisha, 5 të tjerë brenda në shtëpi. Ikën të gjithë”, rrëfen ai.

Të gjithë ata që humbën të afërmit, por edhe ata që punonin në fabrikë dhe mbijetuan, kthehen çdo 15 mars në përkujtimoren që mban emrat e të vrarëve.

“Drejtësia është tallur, aman”, tha Zamira Durda mes lotësh.

Edhe në këtë 11-vjetor, ata janë të zhgënjyer nga drejtësia. Për të prekurit e tragjedisë, shpresa tashmë ka mbetur në Strasburg.

“Ne kemi ngelur nëpër gjykata, ka 11 vite. Kjo ishte e zgjidhur, s’kishte nevojë të shkonim as nëpër gjyqe, askund”, tha Uran Deliu.

Pavarësisht se gjykata mbylli çështjen si “aksident teknologjik” dhe shpalli fajtorë ushtarakë e administratorë të fabrikës ku demontoheshin municione, banorët këmbëngulin se nuk është hetuar siç duhet.

“Merrja predhën me diagore dhe e vendosja në arkë. Në atë moment kam parë flakë këtu. Kur pashë flakën këtu dhe njerëzit kishin ikur, unë dola i fundit që aty dhe më zuri flaka në të tatëpjetë. U dogj baruti, këtu kishte rreth 20 tonë barut prodhim ditor”, tha një tjetër i mbijetuar.

Nga ana tjetër, drejtësia ka mbyllur 30 padi administrative dhe i ka dëmshpërblyer të dëmtuarit. Ndërsa 20 padi të tjera janë ende në pritje.

Top Channel