“Njerëzit bëhen shkrimtarë nga dëshira për t’u bërë të famshëm, nga makutëria për të fituar para ose të frymëzuar nga ideale të larta. Unë nuk hy as te të parët, as te të dytët! Mirëpo veprat e njerzve si puna ime që nuk kanë bërë emër në fushën e letrave, zënë pluhur në vitrinat e librarive, sepse nuk i njeh njeri…”

Po çfarë ndodhi atëherë? Në moshën 80 vjecare, protagonisti i romanit tallet me lexuesin e tij duke sugjeruar se mënyra më e mirë për të mundësuar botimin e librit të tij, është vetvrasja. Kështu ai do të bëhet i famshëm. Ky është thelbi i stilit tallës e ironik i Leka Bungos, në romanin më të fundit të tij ‘Testamenti’. Libri i tij karakterizohet nga satira për artistin i cili ka jetuar në dy kohë; komunizmin dhe tranzicionin e gjatë që ende vazhdon. Me personazh kryesor një shkrimtar, “Testamenti i mitomantit”, është një libër që krahas gjuhës satirike ka mjaft të vërteta që tregojnë realitetin e trishtë e të qenurit artist në kohën e komunizmit. Gjatë pesëdhjetë viteve, Leka Bungo ka shkruar dhjetëra drama e radiodrama, i ka vënë në skenë, i ka regjistruar në radio. Por këtë radhë duket se ka bërë diçka të jashtëzakonshme. Ky është një libër i shkruar me një fantazi të cmendur që shkon deri në absurd. I dëshiruari për t’u bërë shkrimtar i ka humbur kontaktet me botën reale, fantazia e tij është e pazakontë, groteske, madhështore, absurde, idioteske por autori i librit, Leka Bungo megjithatë gjen një mënyrë të trishtë për ta bërë atë të njohur. Në bashkëbisedimin me gazetaren Monika Stafa, për Vitrinën e Librit, Bungo shpjegon se jetojmë në kohën e cudirave të kota dhe hileqare. Për t’u bërë i njohur sot është shumë e thjeshtë, mjafton të kesh para dhe të cartesh nëpër studiot televizive duke dihatur delir. Luftëtari, kështu quhet heroi ynë, mendon se kjo botë ka marrë fund, ndaj i duhet dhënë fund jetës që të bëhesh i famshëm. Personazhet e librit duken se janë të gjithë të cmendur në jetën e tyre të përditshme por në fund mbeten të besueshëm. Sepse ata rrjedhin natyrshëm packa se janë idioteskë, shpjegon më tej autori. Atmosfera në të cilën mëton të na fusë L. Bungo në këtë libër, është në përputhje edhe me formimin e tij, skena e madhe e një teatri absurd. Me një lloj veprimi tragji-komik që i thyen të gjitha llojet e konvencioneve, përfshirë edhe konvencionin e kohës dhe hapësirës. Prandaj ne lëvizimin në një mishmash në të kaluarën, në të tashmen, në vende dhe kohë të ndryshme, me personazhe të ndryshme, ku na ngatërrohen personazhet që kemi parë sot me ata të cilët kemi lexuar në libra, personazhet që kemi patur frikë me ata që duam, personazhet komikë me ata tragjikë e kështu me rradhë, është shprehur dramaturgu, duke shtuar se ky libër është një miksim jo vetëm i ‘absurdit’ por edhe një vepër plot me të vërteta.

Ka shumë edhe nga jeta jonë e përditshme. Nga kjo jetë, që ecën në një mënyrë që do ta quaja pa busull, që nuk e dimë që ecën para apo pas, por për një gjë jemi të sigurtë, që vazhdon ecën anash, thotë ai. Por natyrisht ka edhe shumë Lekë brenda. Janë brenda shumë histori të treguara netëve apo drekave me një gotë verë, ka shumë shaka, ka shumë anekdoda, ka shumë përjetime, ka trillim, përjetim dhe natyrisht ka një fuqi gati-gati të papërballueshme, për të bërë shaka dhe luajtur me gjithçka, përfshirë edhe veten, ka përfunduar autori. Për këtë arsye libri përveçse të jep kënaqësi kur e lexon, të ve në mëndime. Për rrugën që kemi kaluar deri më sot, por edhe jetën që jetojmë e aq më shumë për të ardhmen.

Pjesë nga libri:

Shpesh një të panjohur, i cili nuk ka asnjë meritë, vetëvrasja e bën të njohur, madje të famshëm. Një plak rreth të tetëdhjetave u gjet i varur në kuzhinën e apartamentit. Poshtë fanellës së leshtë kishte fshehur Testamentin e shkruar me laps kopjativ, në faqet e të cilit është i fshehur edhe misteri i vetëvrasjes…
Dëgjohet përplasja e receptorit në anën tjetër. Kur t’i vijë mendja këtij populli aq qentë s’do t’ua hanë… Hipi në stol dhe vuri lakun në qafë. Befas … hoqi litarin, zbërtheu pantallonat, nxitoi në banjë dhe pas pak u kthye përsëri duke mbërthyer kopsat. U ngjit përsëri në stol dhe hodhi lakun në qafë. Qëndroi i heshtur një cast, pastaj shtyu stolin. Stoli ra dhe ai mbeti varur në litar.
Hapi sytë për herë të fundit dhe me atë cik shpirt që i kish mbetur mërmëriti nëpër dhëmbë: “Në këtë vend vdekja edhe mund të marrë një komunist… dhjetë…njëqind. Mund të marrë edhe një mijë…Po komunizmit i ha mutin…”

Top Channel