Të paktën një person ka vdekur dhe 20 të tjerë janë plagosur nga një aksident në qendër të qytetit të Gjilanit. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani tha, se dyshohet se aksidentin e ka shkaktuar një kamion transportues.

Menjëherë kanë nisur hetimet ndërkohë që sipas zyrtarëve spitalorë, 14 persona po trajtohen në Qendrën Emergjente të Gjilanit ndërsa dy të tjerë janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Policia ka ndaluar dy persona, shoferin e kamionit dhe bashkëudhëtarin e tij.

Sipas kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, dyshohet se kamionit nuk i kanë funksionuar frenat dhe përveç dëmeve në njerëz, në këtë aksident janë përfshirë edhe dhjetëra makina dhe ka dëmtim të pronës publike.

Për aksidentin në Gjilan ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, të cilët kanë ndarë shqetësimin dhe dhimbjen për ngjarjen. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i presidentit Hashim Thaçi, i cili nga Facebook ka shprehur ngushëllime për të prekurit nga kjo ngjarje.

Top Channel