Kopertinat e reja nga Vitrina e librit në Top Channel.

E vërteta ime nga Hillary Rodham Clinton

Përkthyer nga Taulant Hatia

Për herë të parë, Hillari  Klinton rrëfen përjetimet e saj gjatë një prej zgjedhjeve më kontroverse dhe të paparashikueshme në histori. Tanimë, e lirë nga çdo trysni, ajo flet për një garë presidenciale të mbushur me zemërim, seksizëm, ulje-ngritje të pazakonta dhe një kundërshtar, i cili shkeli të gjitha rregullat e garës. Në këtë libër, ajo tregon se ç’do të thotë të garosh kundër Donald Trampit, cilat ishin gabimet e saj, si e përballoi ajo atë humbje shkatërruese dhe si gjeti fuqi të mblidhte veten e të shihte përpara për të ardhmen; çfarë sfidash duhet të kalojë një grua për t’u shfaqur e fortë në sy të publikut të gjerë, kritikat për zërin, moshën dhe pamjen e saj por mbi të gjitha, për standardet e dyfishta me të cilat përballet një grua në politikë.

Zgjedhjet e vitit 2016 në Amerikë u shenjuan nga një sulm i paprecedent në demokracinë e vendit, nga një kundërshtar i huaj. Duke analizuar faktet dhe duke vënë pikat mbi ‘I’, Hillari Rodham Klinton tregon se sa i rrezikshëm ishte ai dhe pse Amerika duhet të dijë t’i mbrojë vlerat e demokracisë për të ardhmen.

Genghis Khan dhe krijimi i botës moderne nga Jack Weatherford 

Përkthyer nga Fari Lacka

Ushtria mongole e udhëhequr nga Genghis Khan nënshtroi më shumë toka dhe njerëz në njëzetepesë vite, sesa romakët në katërqind vite. Në pothuajse çdo shtet që mongolët pushtonin, ata sillnin një rritje të paprecedentë të komunikimit kulturor, zgjeronin tregtinë dhe lulëzonin qytetërimin. Shumë herë më progresiv se udhëheqësit e tjerë europianë apo aziatikë, Genghis Khan hoqi torturën, mundësoi liri fetare universale dhe shkatërroi sistemet feudale të privilegjeve aristokratike. Që nga ngjitja e tij përmes kulturës fisnore, e deri te lulëzimi i qytetërimit që solli perandoria mongole, kjo vepër e shkëlqyer revizionizmi historik, nuk është asgjë më pak se historia epike se si u krijua bota moderne. Kjo është historia e vërtetë se si një burrë i jashtëzakonshëm nga një cep i largët i botës, krijoi një perandori e cila do ta udhëhiqte botën drejt epokës moderne.

“Kam shumë pak kohë në punën time të re. Por nga ata pak libra që kam lexuar, i preferuari im është “Genghis Khan dhe krijimi i botës moderne” nga Jack Weatherford. Është një libër magjepsës që e paraqet Genghis Khan-in në një mënyrë krejt të re. Na tregon se ai ka qenë një lider i madh laik, ndër të tjera”, do të shprehej për librin Manmohan Singh, ish-kryeministër i Indisë.

 

Top Channel