Në një kohë kur deputetët e opozitës nisës firmosjen e formularëve për lënien e mandatave, për herë të fundit për mos ta bërë këtë veprim ka ndërhyrë Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

Megjithatë edhe kjo përpjekje e fundit e qeverisë amerikane ka dështuar, paçka se dy ditë më parë deputetëve të opozitës iu kërkua me ngulm nga Ambasada Amerikane në Tiranë të distancoheshin nga ky veprim.

Sipas Zërit të Amerikës, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer ka zhvilluar mbrëmjen e të mërkurës dy biseda të veçanta telefonike me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, zoti Palmer u bëri thirrje të dy udhëheqësve të opozitës të qëndrojnë të angazhuar në mënyrë konstruktive në proceset demokratike, duke theksuar rolin jetik, që partitë e opozitës duhet të luajnë në një shoqëri demokratike.

Zëri i Amerikës, duke cituar zëdhënesin e DASH, thotë se Matthew Palmer “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë”.

Zoti Palmer, ndërsa theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të drejtën e qytetarëve për të protestuar në paqe, u bëri thirrje si zotit Basha edhe zonjës Kryemadhi të hedhin poshtë dhe të dënojnë publikisht gjithë dhunën.

Megjithatë, këto dy telefonata nga Uashingtoni e patën efektin e vet, duke vënë përpara përgjegjësisë liderët e opozitës për të realizuar një protestë paqësore para Parlamentit, ashtu siç edhe ndodhi.

Top Channel