Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se taksa 100 për qind mbi mallrat serbe nuk hiqet, për sa kohë që ai do të jetë kryeministër.

“Nuk ka kthim prapa dhe tarifa nuk hiqet deri në njohje. Duhet ta kuptoni këtë. Nëse ne fillojmë të bëjmë hapa prapa, një herë do të kërkohet të hiqet tarifa, nesër mund të kërkojnë të heqim Trepçën, më pas të heqim ushtrinë, e kështu duke hequr diçka tjetër”, tha Haradinaj.

Haradinaj i bëri këto komente gjatë një vizite në kompleksin memorial në Gllogjan. Ai këmbënguli po ashtu se duhet të ndalen kushtëzimet për Kosovën.

“Dialogu të ndodhë pa kushtëzime. Në vend që Kosova të kushtëzojë dialogun, deri në kërkimin e faljes, apo në kthimin e të pagjeturve, ka ndodhur e kundërta: Serbia po i vendos kushte Kosovës”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga partnerët e koalicionit, që në raport me taksën të tregohen të gjithë unanim.

“E kërkoj përkrahjen e partnerëve politik, edhe pse mund të kenë mendime të ndryshme. Shikoni një gjë. Është e vërtetë se, kur morëm vendimin për taksën ishim unanim. Pra, secili ka thënë ‘po’. Nuk është mirë të provojmë heqjen e taksës, pa thënë secili ‘po’”, tha Haradinaj.

Haradinaj vijon kështu të kundërshtojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për pezullimin e taksës. Kjo e fundit është bërë pengesë e vijimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi delegacioni serb ka anuluar pjesëmarrjen në këto bisedime, për sa kohë që taksa mbetet në fuqi.

Top Channel