Për herë të parë Kosova shkon në Berlinale me filmin “Në mes”. Ishte vetë Festivali Ndërkombëtar i Filmit BERLINALE që njoftoi pjesëmarrjen e filmit të autorit Samir Karahoda në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtër.

Prezantimi i Kosovës në pothuaj ngjarjen më të madhe filmike në Evropë tregon që sukseset e mëparshme nuk kanë qenë të rastësishme.

Filmi trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të familjeve të njëjta dhe migrimin. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.

Autori i filmit, Samir Karahoda është shprehur i lumtur që filmi i tij debutues si regjisor është vlerësuar nga ky festival prestigjioz.

Filmi është prodhim autentik i Kosovës, si me mbështetje ashtu edhe në produksion. Producenti i filmit Eroll Bilibani theksoj që ky fakt edhe njëherë dëshmon për kapacitetet kreative të kinematografisë Kosovare: “Të jesh pjesë e një projekti kaq kreativ dhe të punosh me një ekip kaq profesional është me të vërtet nder dhe privilegj”.

Premiera e filmit në Berlinale do të jetë më 12 Shkurt.

Top Channel