Nga 8 akuza që rendonin ndaj tij, Emiljano Shullazi u gjet fajtor vetëm për tre prej tyre. Për rrjedhim gjykata dha tre vite më pak burgim nga 17 që kishte kërkuar më herët Prokuroria.

Por ai dhe katër persona të tjerë të akuzuar si anëtarë të grupit dhe gjobëvënës pretenduan pafajësi edhe në mbyllje të gjykimit. Në përfundim, në procesin që zgjati gjatë gjithë ditës së martë nga 64 që kishte kërkuar Prokuroria e Krimeve të Rënda, Gjykata shpalli për të gjithë 55 vite burgim në total. Procesi nisi në orën nëntë të mëngjesit dhe pas raundit të mbrojtjes, gjykata u mbyll në dhomë këshillimi deri në mbrëmje nga ku doli me vendim brenda ditës.

I kthyer në një nga personazhet më të lakuara kohët e fundit, madje edhe nga ndërkombëtarët Emiljano Shullazi u shpall fajtor dhe u dënua me 14 vite burgim. Ai u shpall fajtor për dy vepra penale dhe u shpall i pafajshëm për disa episode të tjera.

Pesë akuza u konsideruan të paprovuara dhe u rrëzuan nga gjykata. Për këtë shkak për këto vepra Shullazi mori pafajësi, çka do të thotë që mbetet e paprovuar se kush i kanosi dy profesorët Dhori Kule e Mynyr Koni, kush i vendosi gjobë Adriatik Kërçukut, kush vendosi eksploziv në shtëpinë e tij dhe në pasurinë e Jani Zakës. Por Shullazi u shpall fajtor për gjobëvënien e Ylvi Beqës, dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë shqiptare, me të cilin 40-vjeçari problematik kishte lidhur marrëveshje për ta ndihmuar për fitimin e ish-“Vollgës”.

Për këtë vepër, ai u dënua me 12 vite burg, sikurse u dënua edhe për gjobëvënien e Jani Zakës, shtetasit që pas denoncimit pranë autoriteteve u largua nga Shqipëria. Vepra penale që e lidh Shullazin me katër të tjerët është ajo e grupit të strukturuar kriminal, për të cilën u shpallën të gjithë fajtore. I konsideruar si krahu i djathtë i Shullazit, Gilmando Dani mori 12 vite burgim për të njëjtat vepra për të cilat u shpall fajtor edhe Shullazi. Endri Qyqa u dënua 10 vjet burgim e po aq edhe Endrit Zela. Ndërsa Blerim Shullazi u dënua me nëntë vjet heqje lirie. Gjykata tha se pas këtij vendimi asnjëri prej tyre nuk mund të përfitojë liri me kusht.

Siç pritej, edhe kjo seancë monitorohej nga ndërkombëtarët. Avokati i Shullazit njoftoi apelimin.

Gjykata tha se të gjithë të akuzuarit do ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Çka do të thotë që policia mund t’i kthehet normalitetit dhe mos të vazhdojë me kështu masa të përforcuara sikurse ka vepruar gjatë këtyre ditëve.

Top Channel