Fredi Alizoti është personazhi i përfshirë së fundi në historinë e audiopërgjuimit të Agron Xhafajt, ndërsa janë publikuar një sërë përgjimesh kontradiktore të tij.

Në njërin prej tyre, ai pretendon se zëri në audiopërgjim është i tij dhe jo i Agron Xhafajt, por Babalja mohon plotësisht këtë. Ai tregon se si e ka njohur Fredi Alizotin, ndërsa këmbëngul se në audiopërgjim është zëri i Agron Xhafajt, me të cilin ka pasur një qejfmbetje të vjetër.

“Fredi Alizotin e kam njohur në burg dhe nuk kam asnjë lidhje familjare. E kam pasur shok dhe e kisha ndihmuar shumë herë, pasi ishte njeri me probleme të mëdha ekonomike. Kohët e fundit i kisha treguar historinë time dhe i kisha premtuar t’i jepja 1000 euro, për të qëndruar me mua dhe për të më mbrojtur. Vetëm kaq! Zërat në audiopërgjim janë të mitë dhe të atij X-it (Agron Xhafajt). Le të merren kampionët e zërit dhe do të provohet e gjithë kjo. Unë nuk kam lidhje fare me politikën, thjesht kisha një qejfmbetje me Agron Xhafajn, pasi më ktheu shpinën dhe më shkatërroi familjen, ndaj e bëra këtë”, deklaroi Babalja.

Albert Veliu theksoi gjithashtu se Fredi Alizoti është një person nën efektin e drogës dhe alkoolit, ndaj edhe lehtësisht i manipulueshëm, për të thënë gjëra të pavërteta.

Top Channel