Aksident tragjik në Tiranë, makina përplas këmbësorët, dy të vdekur

08/08/2018 09:20

Dy të vdekur dhe 2 të plagosur është bilanci i një aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e së mërkurës pranë zonës së Institutit në Kamëz, në vendin e njohur si shinat e trenit.

Një automjet “Mercedes Benz” që drejtohej nga një femër, humbi kontrollin në kthesë dhe mori përpara një biçikletë dhe një nënë së bashku me 2 fëmijët e saj, që ndodheshin në mes të trafikndarëses dhe po tentonin të kalonin nga njëri krah i rrugës në tjetrin.

Për pasojë humbi jetën një vogëlushe 7 vjeçare ndërkohë që të dëmtuara rëndë mbetën edhe e ëma dhe motra e saj 6 vjeçare. Si pasojë e dëmtimeve në spital ndërroi jetë edhe 29-vjeçari që lëvizte me biçikletë. Policia rrugore ndaloi drejtuesen e mjetit Rozina Koleci, ndërkohë që nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të rëndë.

Sipas policisë rrugore, ky është një kryqëzim problematik për të cilin i janë dërguar shkresa të një pas njëshme bashkisë Kamëz, e cila mesa duket nuk ka marrë masa për vendosjen e sinjalistikës vertikale apo vendosjen e vijave të bardha për vendkalimin e këmbësorëve.

Policia mori në pyetje disa dëshmitarë okularë në vendngjarje, ndërkohë që sekuestroi kamerat e sigurisë së disa bizneseve për të hedhur në shumë dritë mbi aksidentin tragjik.

Top Channel