Pas Monakos, ndalesa e radhës së Diamond League në Atletikë ishte në Londër.

Në ditën e parë të këtij evenimenti janë mësuar emrat e disa prej fituesve. Kështu në 400 m me pengesa për femra fitorja i shkoi amerikanes Shemier Litttle me kohën 53.95, ndërsa në kategorinë e meshkujve të kësaj disipline ai që shkëlqeu ishte norvegjezi Karsten Warsholm me 47.65 sekonda, kohë kjo që përbën edhe një rekord.

Në hedhjen e shtizës për femra fitorja ishte e kinezes Lyu me 65.54 m, ndërsa në garën e kërcimit me shkop, suksesi ishte i gjithi për amerikanin Sam Kendricks që kaloi lartësinë prej 5.92 duke lënë pas tij në vendin e dytë një emër të rëndësishëm të kësaj disipline si Renaud Lavillenie.
Në 5000 m për meshkuj është një amerikan që mori më të mirën.

Bëhet fjalë për Paul Chelimo i cili e fitoi garën me kohën 13 minuta 14 sekonda e 1 të qintat. Në garën e 100 m për femra, shkëlqeu Shelly Ann Fraser-Pryce e Xhamajkës që fitoi me 10.98 sekonda, një kohë kjo që është rezultati më i mirë sezonal. Ndërsa për meshkuj, fitorja në garën e 100 m i shkoi amerikanit Ronnie Baker me kohën 9 sekonda e 90 të qintat

Top Channel