Luftëtari në fund të sezonit të kaluar shënoi një arritje historike teksa siguroi pjesëmarrjen në Europa League për here të parë në historinë e tij. Ditën e enjte skuadra gjirokastrite do të përballet me Ventspils, një ndeshje të cilën trajneri Milos Kostic e sheh me optimizëm.

“Ventspils e ka një avantazh të lehtë për sa i përket përgatitjes fizike, por nuk duhet të ankohemi. Kjo është ndeshja ku duhet të shfaqim më të mirën tonë. Ndaj Ventspils do të kërkojmë të luajmë futboll. nuk do të shkojmë për t’u mbrojtur edhe pse e dimë që çdo gol i pësuar do të na shkaktonte probleme në ndeshjen e kthimit. Do të përpiqemi që të shënojmë sa më shumë gola. E dimë që Ventspils ka disa kualitete por edhe ne kemi avantazhet tona që do të na ndihmojnë”, tha Milos Kostic, trajneri i Luftëtarit.

Milos Kostic lëshoi edhe një batutë për atë që konsiderohet transferimi i shekullit, kalimin e Cristiano Ronaldo te Juventusit.

“Për fat të keq Cristiano Ronaldo shkoi te Juventusi kështu që nuk mund ta sjellim këtu. Përtej batutës, mund të them se kam në dispozicion lojtarë shumë të mirë në çdo pozicion. Shpresojmë që të bëjmë sa më mirë me këtë skuadër sepse të gjithë do ta kenë të vështirë të përballen me ne’, u shpreh Milos Kostic, trajner i Luftëtarit.

Ndeshja mes Ventspils dhe Luftëtarit do ë luhet në orën 16:45 të ditës së enjte në Olimpiskais Center të Ventspils.

Top Channel