Ylli i tenisit, Boris Beker, bëri “retweet” një citim nga filmi Roki Balboa i vitit 2006: “S’ka rënëdsi se sa fort qëllon”, i thotë Silvester Stalone të birit, “por se sa fort të qëllojnë dhe ti vazhdon të bësh përpara.” 

Këto kanë qenë kohë të vështira për Bekerin, tashmë 50 vjeç. Në qershor të vitit të shkuar një gjykatë e Londrës e shpalli të falimentuar, pasi nuk mundi të shlyente një borxh prej 3.3 milionë sterlinash, të cilat i kishte marrë te një firmë private bankare, Arbuthnot Latham. Beker mbetet i zemëruar, duke këmbëngulur se nuk i lanë kohë të mjaftueshme sa të shiste disa nga pronat që të shlyente borxhin në bankë. Sipas tij, “për bankierët u bë deti kos” me rastin e tij. “Do t’i ndjek ligjërisht njerëzit që e imponuan procesin”, shton Beker.

Por më pas, këtë muaj, një ndryshim i papritur. Bekeri mori mbrojtje diplomatike nga borxhet. Nëse njerëzit u habitën në vitin 2013, kur u shpall trajner i Novak Xhokoviçitit, kjo habia tjetër ishte shumë herë më e madhe. Bekeri ishte bërë atasheu i BE-së në Republikën Afrikane Qendrore për sportin, kulturën dhe çështje humanitare, sipas Gjykatës së Lartë në Londër.

Bekeri ka shtëpi në Zvicër dhe në Londër, por në Republikën e Afrikës Qendrore nuk ka shkelur ndonjëherë. Republika është një nga vendet më të varfra në botë dhe roli i tij nuk do të paguhej. Por sipas nenit 31 të Konventës së Vjenës të vitit 1961 për marrëdhëniet diplomatike, Bekeri nuk mund të përndiqej më për pagesa të tjera. Qeveria britanike duhet të kërkojë që më parë t’i hiqet imuniteti nga presidenti i Republikës Afrikano Qendrore, Faustin-Archange Touadera.

Sigurisht, saga nuk mbaroi këtu. Zyrtarë nga Republika e Afrikës Qendrore thanë se nuk kishin asnjë të dhënë të regjistruar për detyrën e Bekerit. Qarkulloi një foto e pasaportës së tij, por tregonte vetëm që ishte “financieri i deleguar për këtë mision”, dhe jo atashe kulturor.

Përveç kësaj, pasaporta ishte e falsifikuar, dhe e falsifikuar keq, sipas Ministrit të Jashtëm të Republikës Afrikane Qendrore, Charles Armel Doubane. Numri serial i përkiste një grupi pasaportash të vjedhura. Doubane dukej mjaft i acaruar, pasi çdo pasaportë diplomatike duhet të firmoset më parë nga ai.

Dhe telashet vazhduan. Të mërkurën e shkuar, në qendër të Londrës, u organizua një ekspozitë për disa prej objekteve më të çmuara që kishte. Shitja, një ankand në internet, në kohën e duhur, e arriti kulmin të entjen në orën 1. Por Beker nuk fiton gjë. Të gjitha shitjet u shkojnë kredidhënësve.

Karriera e tij, e cila shpërtheu kur fitoi Uimbelldonin e vitit 1985, kur ishte ende 17 vjeç, ka vazhduar në 81 kampionate. Në atë kohë, kampionëve të Uimbelldonit u jepeshin trofe në miniaturë që t’i mbanin si kujtim. Tre prej këtyre janë në shitje. Është në shitje edhe një imitim i kupës Devis, të cilën e fitoi me ekipin e Gjermanisë Perëndimore në vitin 1988, si dhe një imitim me përmasa reale i trofeut të US Open, të prodhuar nga Tiffany and Co, të cilin ai e ngriti në vitin 1989 pasi mundi Ivan Lendl në finale. Ky objekt ka vlerën më të madhe, prej 15,000 sterlinash.

Terry Madden, drejtor i Wyles Hardy, që po mbikëqyr shitjen, pret që disa nga shitjet të arrijnë edhe me gjashtë shifra. “Gjithnjë i sheh pyet veten nëse ka objekte në treg me të cilat mund t’i krahasosh”, thotë ai. “Sipas kërkimeve të mia, nuk kam gjetur gjë. Dhe prejardhja është e vërtetuar, kështu që nuk do t’i vë një çmim përfundimtar. Shpresoj të suprizohem për mirë.”

Po kur Madden u takua me Bekerin, a e pati atë ndjesinë se e kishte të vështirë të ndahej me ato objekte, mes të cilave kishte edhe ora dore, atlete tenisi si dhe foto të firmosur nga presidenti i Gjermanisë, kur Bekeri fitoi medaljen e arit në lojërat olimpike? “Emocionalisht?” përgjigjet ai. “Po, ishte situatë shumë emocionuese për të.”

Por këto 20 vitet e fundit kanë qenë të gjitha të trazuara për Bekerin. Ai u shkëput nga tenisi në moshën 31 vjeçare, pasi kishe fituar 6 tituj “grand slam” dhe rreth 19 milionë sterlina. Edhe pas inflacionit, hyn në 10 personat që kanë bërë më shumë para nga sporti.

Gjatë kohës që ishte tërhequr si lojtar, vazhdoi të ketë sukses si komentues dhe opinionist për ndeshjet e tenisit të transmetuara nga BBC. Kanali konfirmoi se ai do të vazhdonte ta bënte edhe sivjet. Tre vitet e tij si trajner i Xhokoviçit bënë që serbi të arrinte kulmin e karrierës e të fitonte gjashtë tituj të mëdhenj. Verën e shkuar u zgjodh kryetar i tenisit për meshkuj në Federatën Gjermane të Tenisit.

Ajo që e bëri figurë interesante për tabloided ishin vështiërsitë që pati jashtë fushave të tenisit dhe ekstravaganca e tepruar. Në Maj, gazeta “Bild” tha se ishte ndarë nga gruaja, Lilly, duke i dhënë fund një marrëdhënieje 13-vjeçare. Ndarja thuhet se ishte miqësore. “Ai është një baba që kujdeset për fëmijët, bashkëshort që s’të lë të mërzitesh”, tha Lilly kohët e fundit, por pas një periudhe të lodhshme nga ana financiare.

Vitin e shkuar, një ish partner biznesi, Hans-Dieter Cleven, tha se Bekeri i kishte rreth 30 milionë sterlina borxh. Çështja u refuzua nga një gjykatë në Zvicër. Divorci nga e shoqja thuhet se i ka kushtuar më shumë se 15 milionë sterlina, si dhe shtëpia e tyre në Majemi. Beker ka paguar 2.4 milionë sterlina edhe për vajzën e tij, Anën, e cila tani është 18 vjeçe, pas një takimi dashuror me një kameriere, Angela Armakova, në shkallët e pasme të restorantit Nobu në vitin 1999. Për ta sqaruar: “Nuk kishte dollap për fshesat e pastrimit”, tha ai për Piers Morgan në emisionin “Histori Jete” të Piers Morgan, në ITV, në vitin 2009.

Përpjekja e Bekerit për të marrë imunitet diplomatik duket si lëvizje e dëshpëruar. Republika e Afrikës Qendrore ka vuajtur nga lufta civile dhe nga zija e bukës, dhe është ende shumë rrëmujë. Në fakt, është një nga vendet më pak të shëndetshme në botë, si dhe vendi më i keq në botë për të rritur fëmijë.

Ka dyshime të vlefshme për mbrojtjen që mund të fitojë nga statusi diplomatik. Lidhjet e Bekerit me Republikën e Afrikës Qendrore u përmendën për herë të parë këtë prill. Kjo do të thotë që ai po përpiqet të sigurojë mbrojtje që nuk ka garanci se do ta marrë. Pse duhet të rrezikojë Republika e Afrikës Qendrore një incident diplomatik me Britaninë vetëm për të mbrojtur Bekerin?

Njoftimet që ka bërë Beker në shtyp tani, nëpërmjet rrjeteve shoqërore, lidhen kryesisht me shqetësimin se Gjermania mund të mos kalojë grupin në botëror. Por ky ka për të qenë telashi i tij më i vogël. Bekeri ndoshta mund të marrë sërish ngushëllim nga Rocky Balboa, “se sa goditje mund të përballojë e prapë të vazhdojë përpara”. Pas asaj fjalie, Stalone thotë në film: “Kështu arrihen fitoret.”

The Guardian

Top Channel