Është ditëlindja e parë e një prej fëmijëve të Adrianës, viktimës më të fundit të dhunës në familje. Ermira, një nga gjashtë fëmijët e saj mbushi 13 vjeç. Përtej dhembjes së madhe, urimi nuk mungon.

Muret e zbrazur të familjes Shahulli në ish-Kënetë të Durrësit janë hijeshuar nga një pikturë-mesazh e vajzës së madhe të Adrianës. Mungesën e nënës e ka shprehur në art, shoqëruar me mesazhin se nuk ka si kraharori i nënës. Ka kaluar një javë që nga vrasja e dhunshme e nënës së gjashtë fëmijëve të moshës nga 18 deri në 8 vjeç.

Mungesa e saj ndihet kudo. Në rrugicën që përshkonte teksa nxitonte për në punë, në dhomat e zhveshura që pastronte e sistemonte, te kushdo që e njihte, po mbi të gjitha te fëmijët. Ajo ishte gjithnjë aty për ta. Punonte për ta, jetonte për ta. Edhe martesën me një bashkëshort të dhunshëm e që nuk punonte e mbante në këmbë për ta. Prej një jave, nuk është më.

“Ajo ishte çdo gjë e mirë. Gjithçka. Në çdo moment na gjendej pranë. Ishte shumë e papritur ajo që ndodhi. Nuk e kishim menduar asnjëherë. Gjëra që ndodhin. Ai gjeti rastin që mami ishte vetëm. Nuk ishim në shtëpi”, rrëfen Alija.

Kanë përjetuar dhunën në familje gjatë gjithë jetës së tyre e tani djali dhe vajza e madhe, nxënës në shkollë të mesme profesionale, ndjejnë përgjegjësinë që u ka lënë pas mungesa e prindërve. Nevojat janë të mëdha, por asgjë nuk i mundon më shumë se mbështetja e nënës vetëm 42-vjeçare, që nuk e kanë më.

“Do e mbaj deri në fund këtë përgjegjësi për hir të mamit. Çdo ditë me atë ka qenë e bukur dhe e veçantë. Nuk kishte ditë të fundit me atë. Ajo që kemi më shumë nevojë është mbështetja e mamit. Kemi nevojë për gjithçka edhe rikonstruksionin e shtëpisë dhe e dimë se gjithçka vjen e do të vijë është nga ajo”, thotë vajza e madhe me lot në sy.

“Pak e vështirë, po do e kalojmë, me forca e mundim. Ah, ta kisha dhe njëherë mamin…”, thotë djali, Shpendi.

Gjyshërit e tyre, prindërit e Çelnikut, vuajnë atë që ndodhi e që nuk mundën ta parandalojnë.

“Ka qenë nervoz dhe fëmijë… I flisnim se nuk donim ta shihnim ashtu me grindje në shtëpi… Ne ishim në fshat dhe e morëm djalin të mos grindej me të shoqen. Ishim pa drita dhe me pensionin e plakut vendosëm të paguanim dritat se gjynah fëmija pa drita. Na duhej një kartë nga Korça e shkuam në fshat, po ta dija se ngjante kjo”, thonë prindërit e Çelnikut, Zaimi dhe Naimeja.

Me pensione të vogla kooperative, Zaimit e Naimes u duhet që veç përballjes me problemet e pleqërisë, të mbajnë dhe familjen e bashkuar. Të vetëm nuk mund t’ia dalin, ndaj apelojnë për të ndihmuar 6 fëmijët jetimë.

Top Channel