Mariglen Domi është prej 15 vitesh valltar profesionist në Ansamblin “Tirana”. Që i vogël ai kërcente në mënyrë amatore vallet tona tradicionale, por takimi me mjeshtrin Rexhep Çeliku i dha drejtimin e duhur jetës së tij artistike, kur Marigleni ishte vetëm 15 vjeç.

“Unë fillimet e mia i kam që në moshën 5-vjeçare, kur kam filluar në Pallatin e Pionierit. Më pas pashë që tek vallja kisha diçka më të ngushtë se tek baleti. Këtu kam punuar që prej 15 vitesh. Fillimet e mia i kam me koreografin e madh Rexhep Çeliku. Ai është mësuesi im i parë me të cilin kam bërë vallet këtu në Ansamblin Tirana”, tregon Marigleni.

Por, ndonëse ka studiuar në Shkollën e Baletit, muzika klasike nuk e ka bërë dot për vete.

“Jo se klasikja nuk është e bukur, por folklori ynë është më i bukur. I dua të gjitha muzikat, por them këtë që për të dashur muzikën e tjetrit, duhet të dish muzikën tënde, rrënjët e tua”, tregon ai.

“Vallja e Shupalit”, apo ritmet e ‘Napolonit’ e bëjnë të marrë vallen sapo dëgjon tingujt e parë në instrument.

E që të bëhesh një valltar i mirë, nuk mjafton vetëm talenti, duhet edhe shumë pasion.

“Nëse nuk e do kërcimin, nëse nuk e do vallen, është e kotë të jesh pjesë e Ansamblit, apo e një grupi tjetër”, shton më tej.

Marigleni, së bashku me 40 artistë të tjerë të Ansamblit do të jenë pjesë e koncertit përmbyllës të sezonit pranveror të Teatrit të Metropolit, festës tradicionale shqiptare, që do të mbahet më 7 qershor në Atriumin e Muzeut Historik Kombëtar.

“Është takim i trevave, ku veriu takon jugun, lindja perëndimin, Shqipërinë e Mesme e kështu me radhë. Është një rast i mirë që spektatori që njeh më shumë njërën trevë, apo trevën tjetër, në varësi të prejardhjes, të ketë mundësi që të njohë të gjitha ngjyrat që folklori shqiptar ka. Është një festë e madhe”, shprehet Armela Demaj, udhëheqëse artistike.

Top Channel