Festivali i Kukullave, trupat e artistëve nga disa vende mblidhen në Tiranë

29/05/2018 15:25

Prej dy ditësh japin shfaqe në Teatrin e Metropolit grupe të ndryshme të teatrove të kukullave.

Që nga 27 maj deri në 1 qershor janë pesë shtete, si Kina, Spanja, Turqia, Rumani dhe Shqipëria, të cilat përfaqësoheshin me vepra teatrore, të vlerësuara me çmime ndërkombëtare. Këtë të martë është radha e Shqipërisë me shfaqjen Don Kishoti.

“Duke parë dhe në kontekstin e një risie të një letërsie klasike të implementuar për mosha të ndryshme për familjarët, mendojmë se ishte zgjidhja më e mirë për tu përfaqësuar në festivalin internacional të kukullave”, thotë Klajd Ymeri, regjisor i shfaqjes, drejtor i festivalit.

Nëpërmjet shkëmbimit kulturor ky projekt ka si objektiv të njohë spektatorin dhe artistët e këtij zhanri në vend, me format e reja dhe konceptet bashkëkohore të vendeve të ndryshme në botë, duke krijuar mundësinë e kultivimit cilësor të këtij zhanri artistik dhe aq edukativ.

“E kemi parë si një pikë të fortë takimi, ndërkulturimi, shkëmbim përvojash”, thotë Sonila Kapidani, regjisore “Teatri i Metropolit”.

Ndërsa në ditën përmbyllëse të festivalit do të hapet me një ekspozitë etnografike me punë nga autorë të ndryshëm nga trevat shqipfolëse në Muzeun Kombëtar. Shfaqet jepen në një skenë të hapur për publikun pasdite edhe në sheshin “Skënderbej”.

Top Channel