Rama: Xhafaj do qëndrojë. Përgjimi, mashtrim destabilizues

16/05/2018 14:15

Audiopërgjimin e publikuar nga opozita, me protagonist të pretenduar vëllain e ministrit të Brendshëm, Edi Rama e quajti jo autentik, pas përgjigjes shkencore që tha se kishte marrë nga një agjenci e specializuar të cilës i ishte drejtuar.

Para deputetëve të grupit socialist, Kryeministri tha se nuk kishte gjetur arsye për të larguar nga Fatmir Xhafën nga Qeveria, as pas informacionit që kishte kërkuar nga institucione të tjera shtetërore.

“Asnjë provë kompromentuese por mashtrim me një material joautentik për të destabilizuar dhe penguar negociatat. Nuk ka asnjë indicie që vëllai i ministrit është i përfshirë në aktivitet të paligjshëm ndaj besoj se ministri duhet të vazhdojë”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit kjo ishte vetëm pjesa politike e çështjes. Duke paralajmëruar burg, Rama kërkoi nga Prokuroria që të hetojë e të provojë kush qëndron pas përgjimit.

“Kush e organizoi këtë lojë të neveritshme duhet të paguajë sipas ligjeve tona, që përcaktojnë dënim me burg”, vijoi ai.

Rama akuzoi opozitën se përgjimin e ka shpërndarë në emailet e të gjitha kancelarive e të të gjithë deputetëve të mundshëm në Europë, me qëllim baltosjen e Shqipërisë para hapjes së negociatave. Por përse opozita do të ishte e interesuar në mos celjen e negociatave të anëtarësimit?

“E dinë se me hapjen e negociatave drejtësia do godasë, nga financime me vulën e partisë deri te kokaina në banane me ndihmën e prokurorisë”, tha ai.

Çështja “Xhafaj”, sipas Kryeministrit nuk është e njëjtë me atë të Saimir Tahirit pasi ndryshe nga ky i fundit, ministri aktual nuk është akuzuar nga drejtësia por nga politika.

“Nuk kemi njerëz për të lëshuar në dhëmbët e ujqërve po jo t’i kërcasim dhëmbët organeve të drejtësisë kur secili prej ne vihet në akuzë prej tyre. Akuzat sot ndaj ministrit të Brendshëm nuk vijnë nga organi i drejtësisë, dhe nuk kanë lidhje me të drejtën si vlerë po as mund të neglizhohen si shumë e për lumë, akuza që na bëhen përditë dhe as mund të lihen vetëm me sqarimet e radhës”, tha Rama.

Në përfundim të fjalës së Kryeministrit, kur pjesa mediatike u mbyll, mësohet se ministri Xhafaj ka falënderuar grupin socialist për mbështetjen, duke u shprehur deputetëve mirënjohje për përkrahjen e dhënë.

Top Channel