Porositë e Merkel për Thaçin: Na kini në krah, por luftoni krimin dhe korrupsionin

09/05/2018 19:20

Kosova duhet të shtojë përpjekjet kundër korrupsionit dhe papunësisë. Ky ishte mesazhi që përcolli kancelarja gjermane Angela Merkel pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërsa pranoi zhvillimet pozitive në dialogun me Serbinë, kancelarja gjermane theksoi se marrëveshjet e arritura mes dy vendeve duhet të zbatohen.

“Marrëveshjet e arritura deri më tani duhet të zbatohen dhe unë mendoj se prioritet duhet të ketë edhe çështja energjetike. Dua të theksoj se në ditën e Evropës kemi shumë sfida para nesh, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe numri i lartë i papunësisë”, tha Angela Merkel.

Në konferencën e përbashkët për shtyp Presidenti Thaçi pohoi se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në Ballkan. Ai ka shtuar se faza përfundimtare e dialogut me Serbinë nuk do të jetë e lehtë, por vlerëson se nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara.

“Duhet të gjemë mënyrën që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare dhe të hapim epokën e paqes dhe pajtimit ndërmjet popujve tanë. Marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke”, u shpreh Hashim Thaçi.

Gjatë qëndrimit në Berlin, presidenti Thaçi zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Gjermani me te cilet thuhet se diskutoi mbi axhendën evropiane të Kosovës.

Top Channel