“Avengers: Infinity War” thyen rekordet në debutimin global

30/04/2018 10:14

“Avengers: Infinity War” bëri histori me 630 milionë dollarë të arkëtuara në javën globale të daljes së tij nëpër kinema. Është “Exhibitor relations”, një vëzhgues i industrisë, ai që e ka bërë vlerësimin, edhe pse filmi ende nuk është shfaqur në kinë.

Nëse konfirmohet, filmi me superheronj do të lërë pas “The fate of the furious’s”, që në fundjavën e premierës globale mblodhi një shifër prej 542 milionë dollarësh, një rekord ky i vendosur në 2017.

Avengers ndërkohë ka shënuar edhe një rekord të brendshëm, duke mbledhur 250 milionë dollarë vetëm në kinematë amerikane. Shifrat zyrtare nuk janë publikuar ende, por kjo do ta vendoste sidoqoftë Avengers, përpara Star Wars: The Force Awakens’ që në SHBA, në javën e parë të shfaqjes së tij, mblodhi 248 milionë dollarë. Infinity War, i drejtuar nga vëllezërit Joe dhe Anthony Russo, ka kushtuar nga 300 deri në 400 milionë dollarë. Filmi mbledh një seri superheronjsh dhe i përfshin ata në betejën kundër të keqit Thanos.

Aktorë si Robert Downey Jr, Scarlet Johansson, Benedict Cumberbatch, Chadwick Boseman dhe Chris Pratt, marrin pjesë në filmin, që do të pasohet edhe nga një seri tjetër. Avengers: Infinity War vjen 10 vite pas daljes nëpër kinema të Iron Man, që edhe i dha udhë një serie filmash të profilit të lartë me superheronj. Filmi i parë Avengers, që mblidhte disa superheronj, doli në kinema në 2012. Ai mbante rekordin e mëparshëm për të ardhurat e mbledhura në javën e parë të shfaqjes, me 207.4 milionë dollarë të arkëtuara në amerikë. Ndërsa Age of Ultron, filmi i dytë i serisë Avengers debutoi me 191 milionë dollarë në kinematë amerikane.

Top Channel