Barazimi në “Emirates Stadium” i ka dhënë një avantazh të lehtë Atletikos së Madridit për të shkuar në finalen e madhe të Europa League, por ai që rrezikon shumë te skuadra e “Colchoneros” është Diego Simeone.

Trajneri argjentinas u përjashtua në minutën e 12 të transfertës londineze, në fazën gjysmëfinale të kupës më të vogël kontinentale. Simeone mori karton të kuq pasi kontestoi fuqishëm vendimin e arbitrit francez Klement Turpin për përjashtimin e hershëm të Vrsaljkos. Ky i fundit mori dy kartona të verdhë duke e lënë skuadrën madrilene në inferioritet numerik, në një ndeshje që mund të ishte mbyllur më mirë për vendasit.

Tashmë, ashtu siç kanë frikë drejtuesit e Atletikos, skualifikimi i trajnerit argjentinas mund të jetë i madh. Mbetet për t’u parë se çfarë ka shkruar arbitri në raportin e tij, por nëse gjykatësi sportiv do të vendosë se ofendimet dhe kontestimet ishin në masë të rëndë, Simeone merr së paku 3 ndeshje pezullim.

Nëse raporti do të jetë i lehtë, trajneri do të dënohet me dy ndeshje.

Në çfarëdolloj skenari, nëse Atletiko eliminon Arsenalin dhe kalon në finale, do të duhet të luftojë për trofeun pa Simeonen në pankinë.

Top Channel