Digjet fabrika e riciklimit. Zjarri shkrumbon qindra ton plastikë, tym toksik në Tiranë – FOTO/VIDEO

22/04/2018 14:30
Foto LSA

Fabrika e riciklimit të mbetjeve urbane në zonën e Kasharit dhe qindra tonë plastike u përfshinë nga zjarri rreth orës 10:00 të paradites.

Por ndërsa forcat zjarrfikëse ndesheshin me flakët banorët dolën nga shtëpitë e tyre. Shumica nga frika e të tjerë nga kureshtja.

Të tjerë banorë të zonës ose jo, ndiqnin në heshtje se si flakët vendosën nën pushtet fabrikën ku ata punonin.

“Është buka ime, buka e fëmijëve të mi”, shprehet një qytetare.

Nga ana tjetër është ende herët për të dhënë një pistë mbi shkaqet e rënies së zjarrit. Për momentin ajo që mund të thotë njeriu që parandalon zjarret është se në fabrikën “Everest” mungonin kushtet e sigurimit të mbrojtjes nga zjarri, e për këtë gjashtë muaj më parë iu ishte lënë detyrë plotësimi i tyre.

“Ky subjekt është ndëshkuar me gjobë për mosplotësim të kushteve të sigurimit ndaj zjarrit dhe vitin e kaluar ka pasur një rast të tillë”, shprehet Arjan Ahmetaj, shef i parandalimit, zjarrfikësja Tiranë.

Me gjithë përpjekjet gjithçka u shkrumbua, ndërsa përveç reve të zeza të tymit, ajo që do ngelet pas kësaj ngjarjeje është ndotja e lartë e ajrit në kryeqytet.

Kjo fabrikë, e cila qëllimin e kishte për të ricikluar mbetjet jo vetëm të Tiranës, këtë të diele u kthye në ndotësen më të madhe. Reja shumë toksike që u prodhua nga djegia e plastikës, është përhapur në gjithë Tiranën.

Hetimet po vijojnë nga Prokuroria, por të dhënat e para tregojnë se masat e sigurisë nga mbrojtja kundër zjarrit në këtë fabrikë ekzistonin vetëm në letër sepse në realitet, në fabrikën e “Everest” nuk kishte as fikse zjarri dhe as ujë.

FOTO GALERI
1/27

Top Channel