Ancelotti pret projektin e duhur: Dua të rikthehem në drejtim

20/04/2018 20:43

Arsenali apo cilado skuadër tjetër, mjafton që projekti të jetë ambicioz dhe interesant. Muajt e pushimit “të detyruar”, për shkak të shkarkimit nga Bayern Munchen, kanë rikarikuar me sa duket energjitë e Carlo Ancelottit.

“Do të doja të punoja sërish, – ka pranuar ai gjatë një shfaqjeje në Gjenevë të organizuar nga UEFA. – Por nuk varet vetëm prej meje. Nëse gjej mundësinë dhe projektin e duhur, sigurisht që do të isha i lumtur të vazhdoja të drejtoja skuadra”.

Trajneri nga Reggiolo, i cili ka kaluar në duart e tij pankinat e klubeve më të rëndësishme europiane, nga Milani e Juve në Itali, te Chelsea apo Paris SG, për të ndryshuar më pas ambient te Reali apo Bayern Munchen së fundi, tashmë është mes kandidatëve për stolin e “topçinjve” të Londrës.

Hipoteza për drejtimin e Kombëtares italiane të Futbollit duket se është shuar përfundimisht, megjithatë ai sërish kërkon një projekt të rëndësishëm, e me shumë mundësi përsëri jashtë Italisë, apo larg Serie A.

Arsenali është në “pole position” për momentin, pasi aty sigurohen të gjitha kushtet e nevojshme që mund ta formalizojnë këtë “martesë”, por nuk përjashtohet as ndonjë alternativë tjetër, me në qendër të vëmendjes sërish Premier Leaguen.

“Nuk varet vetëm prej meje, por me ofertën e duhur do të lumturohesha nëse do të vazhdoja profesionin tim. Kam ende dëshirë të punoj”, shprehet Ancelotti.

Top Channel