Ideja për të sjellë për publikun një ekspozitë për natyrën tek fotografja polake Katarzyna Lason fle që prej 1 dekade, që në kohën kur jetonte në një kryeqytet të zhurmshëm si Londra. Pas Londrës, ajo udhëtoi në Bullgari e Shqipëri, e kur mbërriti në vendin tonë, vendosi të ndërtonte jetën e saj këtu.

“Këtë projekt e nisa 10 vite më parë, kur jetoja një qytet shumë të madh. Doja të arratisesha nga zhurma e qytetit, ndaj e gjeta shpëtimin tim tek pylli. Parqet janë mënyra ime për të shprehur kreativitetin”, tha Katarzyna Lason, fotografe.

Por ndryshe nga Varshava, Sofia, apo Milano, Shqipëria në sytë e fotografes polake është një natyrë unike, e cila për fat të keq nuk është respektuar nga dora e njeriut.

“I ndryshoj shpesh vendet që fotografoj dhe në këto vende shoh ngjashmëri dhe ndryshime. Bullgaria ka një klimë tjetër, ndaj edhe fotot dalin ndryshe. Shqipëria më frymëzon shumë për shkak të dritës së fortë që ka. Natyra në Shqipëri nuk të ofron shumë vende të gjelbëruara. Kam kërkuar shumë për të gjetur vendet që kam fotografuar. Udhëtova në veri në Valbone, por gjeta edhe këtu pranë në Tiranë një park të mrekullueshëm, Parkun e Dajtit. Në të gjithë botën dora e njeriut e ka prekur natyrën, por unë shpresoj që duke i treguar njerëzve në këtë formë bukuritë e natyrës, ata të tregojnë më shumë respekt ndaj saj”, u shpreh fotografja.

Ekspozita “Woods” e artistes polake, çelur në galerinë Kalo, do të qëndrojë e hapur deri më 30 prill.

Top Channel