Pranvera Frankofone në Tiranë, nis me filmin “Tre burra dhe një foshnje”

02/03/2018 14:46

Marsi edhe këtë vit vjen së bashku me Pranverën Frankofone, që çelet të premten në mbrëmje për të vijuar me një sërë aktivitetesh deri në datën 30 mars.

Fituese e tre çmimeve Ceaser, regjisorja franceze Coline Serreaux sjell në Shqipëri filmin “3 burra dhe nje foshnje”, një film i prodhuar në vitin 1985 për të cilin u nominua për çmimin Oskar. Komedia rreth tre beqarëve të përkushtuar, të cilët duhet të kujdesen për një foshnje, që i kaloi kufijtë francezë duke korrur sukses në SHBA dhe Indi, shfaqet të premten mbrëma në sallën e Arkivit Qendror të Filmit.

“Një tjetër pjesë e mrekullueshme e çfarë Franca i ka ofruar botës është pikërisht kinemaja dhe muret e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit do të shfaqin 4 filma njëri më i mirë se tjetri. Ajo që është interesante dhe pse e hapëm me Coline Serreaux është sepse filmi duket sikur është 20 e ca vite para. Pra, kineastët ia dalin të prodhojnë e të parashikojnë se ku të qënit femër e mashkull është pikërisht sot”, thotë Iris Elezi, Drejtore e Arkivit Qendror te Filmit.

Pranvera Frankofone do të vijë me një kënd të ri leximi që do të përurohet më 5 mars.

“Ambasada e Francës, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare do të vënë në dispozicion të lexuesit një hapësirë prej 150 metrash katrorë, një sallë të këndshme leximi me qindra autorë franceze e libra në gjuhën frënge, që do të presë lexuesit. Do të jetë gjithashtu edhe një hapësirë për debat, ku do të ftohen autorë të ndryshëm”, shprehet Rose-Anne Bisiaux, këshilltare për Kulturën në Ambasadën Franceze.

Pranvera frankofone vjen edhe me një film klasik për të mos u humbur “Notre Dame de Paris” me protagonistë Anthony Quinn dhe Gina Lollobrigida.

Top Channel