Shifrat e KESH! Sipas çmimeve që pranon korporata, humbja 1.6 mln euro

01/03/2018 19:51

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare reagoi pas një kronike të Top Channel, ku evidentohej se KESH shiti energji më lirë se në bursë për një diference prej 4 milionë euro.

Përmes një deklarate zyrtare, ndonëse pranon se ka shitur me çmime më të ulëta, KESH thotë se kronika përmban informacione të pasakta dhe dezinformuese.

Në kronikë e të mërkurës, Top Channel krahasoi çmimin e shitjes së energjisë nga KESH me atë të bursës hungareze në datën 26 shkurt, duke konstatuar se korporata ka shitur me 15 euro për megavat më pak. Por, KESH thotë se referenca e bursës nuk duhej të ishte çmimi ditor i datës 26 shkurt, por cmimi mesatar i muajit mars, kur do të dorëzohet energjia.

Ditën që KESH shiti 400 mije mega, çmimi referencë i bursës për marsin ka qenë 38.2 euro për megavat për profilin bazë dhe 47.2 euro për ngarkesën pik.

Edhe këto çmime që pranohen nga vetë KESH janë dukshëm më të larta nga ato me të cilat e shiti energjinë korporata. Për energjinë që lëvrohet në çdo moment KESH ka shitur me 4.1 euro më pak për megavat, ndërsa për ngarkesën pik, ajo ka shitur me çmim 12 euro më të ulët se bursa.

Edhe këto janë diferenca të mëdha. Por sipas KESH, ato shpjegohen me kostot e transemtimit te energjisë nga Shqipëria në Hungari. Më konkretisht KESH thotë: Për periudhën Mars 2018 kostot për kapacitet trasmetimi në drejtimin Shqipëri hungari kapin vlerën rreth 5 euro për Mega wat.

Kjo deklaratë e KESH është e pasaktë nëse krahasohet me tabelat zyrtare. Kostot e transmetimit të energjisë për kufirin Shqipëri-Kosovë, që rrjeti europian i energjisë e konsideron edhe si kufirin Shqipëri-Serbi për marrësin është 0.66 euro për mega vat. Ndërsa kosto e transmetimit nga Serbia në Hungari është vetëm 0.35 euro për mega. Pra, në total që energjia të transmetohet nga Shqipëria në Hungari kosto është vetëm 1 euro dhe jo 5 siç deklaron KESH.

Për 400 mijë megavatët që shiti KESH janë plot 1.6 milionë euro diferencë, vetëm për koston e kapaciteteve, para të cilat duhet të ishin në arkën publike.

Top Channel