Testimet e Formulës 1, Vettel shkëlqen në ditën e dytë në Montmelo

27/02/2018 21:42

Në ditën e dytë të testeve zyrtare të Formulës 1, në pistën e Montmelosë në Barcelonë, Sebastian Vettel ka shkëlqyer për herë të parë me njëvendëshen e re “Ferrari SF71H”, duke regjistruar kohën më të mirë me 1 minutë, 19 sekonda dhe 673 të mijëtat.

Megjithatë, si në të gjithë Europën, moti ka rezervuar reshje dëbore edhe në Barcelonë, gjë që pritet të vijojë edhe ditën e mërkurë, duke rrezikuar kështu ditën e tretë të testimeve.

Piloti gjerman i “kokëkuqes” italiane xhiroi me gomat e buta, ndërsa pas tij për disa të qindtat më shumë përfundoi Valtteri Bottas, që me Mercedesin e tij arriti kohën 1 minutë, 19 sekonda dhe 976 të mijëtat.

Një nisje e shkëlqyer edhe për pilotin e McLarenit, Stoffel Vandoorne, që me gomat hypersoft ka zënë vendin e parë gjatë sesionit të paradites, por në sesionin e dytë të ditës së sotme është kënaqur vetëm me vendin e tretë, me kohën 1 minutë, 20 sekonda dhe 325 të mijëtat.

Një ditë “e shkretë” testimesh për Max Verstappenin, që nuk ka mundur të regjistrojë një kohë më të mirë sesa vendi i katërt. Piloti holandez është kushtëzuar sot nga një problem besueshmërie mbi motorin e Red Bullit të tij, pasi humbi më shumë benzinë se ç’duhej. Edhe pse përmirësoi ndjeshëm kronometrin e tij, ai nuk shkoi kurrë nën 1 minutë e 19 sekonda.

Top Channel