Shirit për të burgosurit politik në Katalonjë, Guardiola akuzohet nga Federata e Futbollit

23/02/2018 18:33

Me trup në Manchester, por me zemër në Katalonjë. Tekniku i Manchester Cityt, Pep Guardiola është dënuar për shkelje të rregullave të Federatës së Futbollit për uniformën dhe publicitetet.

Sanksioni ndaj trajnerit spanjoll është ndërmarrë për “mbajtjen në veshje të një mesazhi politik, specifikisht të një shiriti të verdhë”, thuhet në deklaratën e Federatës së Futbollit.

Në nëntor, Guardiola njoftoi se do ta vendoste atë shirit në mbështetje të politikanëve të burgosur në Katalonjë, aty ku edhe është lindur. Tekniku tashmë do të ketë kohë deri në orën 18 të datës 5 mars për t’u përgjigjur për këtë akuzë.

Federata e Futbollit ka komunikuar me Guardiolën mbi këtë çështje nga mesi i muajit dhjetor, e ka dhënë gjithashtu dy paralajmërime, që janë injoruar.

Akuza u rikthye sërish në vëmendje kur ai mbajti të njëjtin shirit brenda impiantit sportiv, pasi është i lirë ta mbajë kudo tjetër, gjatë ndeshjes së humbur për “FA Cup” mes Cityt dhe Wiganit, ditën e hënë.

“Nëse një ditë burg është shumë, atëherë shihini se për sa kohë kanë qëndruar ata. Siç e dinë të gjithë, shpresoj që një ditë të mos më nevojitet më ta mbaj këtë shirit. Të gjithë politikanët që janë në burg shpresoj që një ditë të dalin dhe të bashkohen me familjarët e tyre, e të vazhdojnë të jetojnë jetën siç e meritojnë”, ishte shprehur në nëntor Guardiola.

Top Channel