Mbrëmjen e sotme në orën 18:00, Partizani dhe Kukësi do të përballen për ndeshjen e javës së 20-të të Superiores.

Kukësi ndodhet në vendin e katërt në këto momente me 29 pikë, ndërkohë që Partizani me 28 pikë është në vendin e gjashtë, çka do të thotë se një fitore e secilës skuadër e ngjit menjëherë në zonën e kupave të Europës që do të jetë vendi i tretë i cili mbahet nga Laçi me 30 pikë.

Të kuqtë e kryeqytetit do të zbresin në fushë në këtë ndeshje me shumë mungesa, Trashi , Batha, Telushi dhe Progni, janë emrat që i mungojnë Partizanit, dy të parët për shkak të dënimit nga komisioni i disiplinës dhe dy lojtaret e tjerë për shkak dëmtimesh.

Pa këta lojtarë, skuadra e Starovës, por që vazhdon të drejtohet nga Dalipi edhe mbrëmjen e sotme, do të jetë thuajse pa mesfushë, ndërkohë nga ana tjetër për Kukësin nuk janë në dispozicion dy qendërmbrojtësit, Alla dhe Shameti të dy të dëmtuar.

Ndeshja mes tyre do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”, i cili i shtohet problematikës së të dyja skuadrave me gjendjen e rënduar të fushës. Ndërkohë në Shkodrë luhet një duel mbijetese mes Vllaznisë dhe Teutës. Të dyja këto skuadra luftojnë me njëra-tjetrën për zonën e ftohtë pasi me grupin sipër shkodranët që janë në vendin e 8, e gjejnë veten të shkëputur me 9 pikë nga Luftëtari i Gjirokastrës. Edhe kjo ndeshje mes Vllaznisë dhe Teutës do të luhet në orën 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Top Channel