Historia, natyra dhe kishat mesjetare të Voskopojës janë një tërheqje shumë e fortë për turistët.

Shifrat e atyre që kërkojnë të vizitojnë këtë fshat të famshëm rriten çdo vit dhe për të mbështetur dëshirën e banorëve për të mikpritur turistët, atje nisi edhe një projekt rehabilitimi.

Kanalizimet u ndërtuan nga e para, po ashtu edhe rrugët që po shtrohen me kalldrëm për të respektuar traditën e shtëpive të vjetra ndërtuar me gur.

Por në mes të fshatit është ndërtuar një objekt që bie ndesh me gjithë pamjen tjetër. Në mes të shtëpive të vjetra me gurë është ngritur një objekt betoni, me të njëjtën logjikë si kulla në mes të Korçës.

Banorët, por edhe turistët tregojne se objekti nuk është në harmoni me fshatin.

“Nuk është vendi i përshtatshëm aty ku është bërë. Do të doja që sheshi të ishte i lirë. Qendra e informacionit le të ishte, por të zinte një vend tjetër”, thonë banorët e turistët bashkë.

Ndërtesa që do të funksionojë si zyrë informacioni ka edhe një hark simbolik, për të cilin thuhet se është ndërtuar për të përkujtuar persekutimin otoman dhe shkatërrimet dhe djegiet e shpeshta në këtë qendër, e cila në shekujt e errët të pushtimit osman, kishte të vetmen shtypshkronjë dhe akademi.

Megjithatë, simbolika e zgjedhur krijon një kontrast shumë të fortë me arkitekturën e Voskopojës, të cilën nuk e ndryshuan dot as turqit dhe as komunizmi.

Top Channel