Serie A, tjetër goleadë e Lacios. Sampdoria mposht Fiorentinën

21/01/2018 17:05

Lacio ka arritur një tjetër sukses thuajse tenistik, këtë herë ndaj një rivali si Chievo për javën e 21-të të Serie A, duke shënuar plot 5 herë në portën kundërshtare e duke u ngjitur përkohësisht në vendin e tretë të klasifikimit, me Interin dhe Romën që e ndjekin nga pas që do të përballen në ndeshjen e mbrëmjes.

Për lacialët e drejtorit sportiv Igli Tare, Milinkoviç-Saviç ishte autori i një dygolëshi, ndërsa të tjerët u shënuan nga Luiz Alberto, Bastos dhe Nani. I vetmi gol ngushëllimi për veronezët e Chievos u shënua nga Pucciarelli në minutën e 25-të të takimit.

Ndryshe nga Chievo, ekipi tjetër veronez i Veronës është mposhtur në shtëpi nga Crotone 0-3, një rival i drejtpërdrejtë në luftën për mbijetesë që e sheh veten jashtë zonës së ftohtë të renditjes të paktën për këtë javë, duke parakaluar Spalin që barazoi në takimin tjetër ndaj Udinezes 1-1.

Pas dy fitoreve radhazi, Benevento rikthehet të shijojë shijen e humbjes, këtë herë duke u mposhtur nga Bologna 3-0, me ekipin verdhekuq që duket se e ka prerë përpara kohe biletën për t’u rikthyer në Serie B.

Një triumf i vlefshëm ka qenë edhe ai i Sampdorias ndaj Fiorentinës, 3-1, me të dyja këto ekipe në luftën për të siguruar një biletë për në kupat e Europës vitin e ardhshëm, por që sheh momentalisht Sampdorian të buzëqeshë me vendin e 6 të klasifikimit.

Në orën 18 pritet të luajë Milani i Gatussos ndaj Cagliarit, ndërsa mbrëmja rezervon supersfidën mes zikaltërve nga Milano dhe verdhekuqve të Romës, që të dy në kërkim të pikëve që do t’u garantonin një vend në katërshen e parë që të çon në Champions vitin e ardhshëm.

Top Channel