Milani i falet Kessie, përmbysja e parë e rezultatit në Serie A

21/01/2018 19:59

Një gol i hershëm, penallti, përmbysje rezultati, kartonë të kuq dhe gjithçka mund të kishte një duel i Serie A. Milan provon nga të gjitha, e në fund arrin të dalë triumfator nga transferta sarde me Cagliarin, skuadër që e mposht 2-1.

Të besuarit e Gennaro Gattusos, që pretendojnë se pushimet dimërore i kanë ndihmuar të bëjnë kthesën e shumëdëshiruar në kampionatin italian të futbollit, e panë veten shumë shpejt në disavantazh, kur Gianluigi Donnarumma u mposht nga një goditje me të djathtën nga jashtë zone e Barrellës.

Edhe pse kishte konfirmuar si titullar Nikola Kaliniç, i përkrahur edhe nga Suso e Calhanoglu nga krahët, ishte një mesfushor energjik e tepër luftarak si Kessie, ai që bëri gjithçka për kuqezinjtë. Në fillim ekzekutoi një 11-metërsh për të barazuar shifrat, e brenda 6 minutash përmbys fatet e takimit, përpara se ekipet t’i drejtoheshin dhomave të zhveshjes.

Në pjesën e dytë, asnjë ndryshim rezultati, por vetëm një lojë me ndërhyrje të forta e ndonjëherë edhe të ashpra, aq sa të ndëshkonin nga dy herë nga një lojtar për secilën skuadër: Ricardo Rodriguez për Milanin dhe autorin e golit të Cagliarit, Barella.

Plot 6 minuta shtesë tregojnë më qartë atë që ndodhi në fushë, mes ndërhyrjeve, zëvendësimeve dhe vonesave të lojës, por rezultati mbeti i pandryshuar në favor të kuqezinjve, që ngjiten tashmë në vendin e 7 në kuotën e 31 pikëve.

Top Channel