Raiola dikton merkaton edhe për Sanchez-Mkhitaryan

16/01/2018 16:48

Mino Raiola mund të cilësohet pa frikë si makthi i shumë presidentëve të skuadrave të futbollit europian, pasi lojtarët e përfaqësuar prej tij janë të destinuar të ndryshojnë shpesh fanellë.

Një rast i ngjashëm, në të cilin po punon superagjenti italian, është edhe ai i Henrikh Mkhitaryan, që dikton gjithashtu lëvizje të tjera të bujshme.

Arsenali kërkon të marrë mesfushorin armen nga Manchester United, por situata është intriguar pasi “djajtë e kuq” kërkojnë sulmuesin Alexis Sanchez në këmbim. Në një lojë milionash, klauzolash dhe kontratash në skadencë, merkatoja e këtij dimri po i ngre temperaturat në Premier League.

“Manchester United nuk do të mund ta marrë Sanchezin, derisa Mkhitaryan të vendosë nëse do të pranojë të luajë me Arsenalin. Ai ende nuk është bindur për të firmosur dhe po mendon se cila është më e mira. Mkhitaryan ka ende dy vite e gjysmë në kontratë”, tha Mino Raiola, agjenti i lojtarit armen.

Mesfushori u la jashtë fitores 3-0 ndaj Stoke City këtë të hënë, me trajnerin Mourinho që kishte frikë se spekulimet e merkatos do ta shpërqëndronin nga loja në fushë. Fati i Mkhitaryan këtë muaj është i lidhur ngushtë me atë të Sanchezit, pasi kiliani është në skadencë kontrate dhe, nëse nuk e shet, Arsenali rrezikon ta humbasë falas në qershor.

Top Channel