Titulli i fituar “de facto”, por Bundesliga ka ende për të dhuruar

10/01/2018 18:18

Vjet në këtë kohë, Bayern Munchen kishte mundur Leipzigun duke rrëzuar debutuesit nga kreu i renditjes, ndërsa një skuadër si Hoffenheim nuk kishte pësuar ende humbjen e parë në Bundesliga.

Ndërkohë, këtë vit nuk ka kaq aksion në një prej kampionateve kryesore, por gjithsesi ka disa çështje që tërheqin vëmendjen e tifozëve.

Bavarezët kanë krijuar një hendek të madh me ndjekësit, e 11 pikë i japin titullin “de facto” para kohe ndaj një grupi ndjekësish që nuk kanë fituar as 50% të ndeshjeve.

Ndërsa tifozët e Borussia Dortmundit presin se çfarë do të rezervojë gjysma e dytë e sezonit. Peter Stöger ka stabilizuar ekipin, por problemet e thella mbeten. Merkatoja e dimrit u hap me spekulimet rreth shitjes së Aubameyang, por veç tij, mbrojtja e brishtë është në fokusin kryesor të trajnerit austriak.

Një tjetër diskutim vërtitet rreth Julian Nagelsmann. Trajneri i talentuar i Hoffenheimit i ka premtuar vetes se do të bëjë hapin e madh të karrierës, por askush nuk e di nëse do të arrijë të bindë edhe më skeptikët te Bayern, për të marrë stolin e kampionëve. 30-vjeçari, që është më i vogël edhe se disa lojtarë të skuadrës së tij, ka reputacion të lartë dhe Bayerni mund ta konsiderojë bastin e dekadës.

Ndërkohë, ditët kur Hamburgu ishte një superfuqi në Bundesligë kanë përfunduar dhe tani ka pikëpyetje nëse skuadra veriore do të arrijë të mbijetojë “in extremis” edhe këtë sezon. Hamburgu mbetet skuadra e vetme që nuk ka zbritur kurrë në histori nga Bundesliga, por dy pikë në 4 ndeshjet e fundit janë vërtet një mesatare katastrofë dhe kalendari i afërt nuk e favorizon.

Këlni është edhe më keq, pasi iu deshën 17 ndeshje, dy trajnerë dhe dy menaxherë të përgjithshëm, për një fitore të shumëndërruar. Zbritja në kategorinë që lanë në vitin 2014 i frikëson lojtarët e qytetit me Katedralen më të famshme të Gjermanisë. Përqindja e humbjeve këtë sezon është 75%, shumë pranë rekordit të Tasmanisë me 85%, por golavarazhi është edhe më keq: 10 gola të shënuar dhe 32 të pësuar.

Top Channel