Flamurtari, Duro: Maksimumin në dy ndeshjet e fundit të 2017-s

15/12/2017 16:45

Flamurtari-Laçi do të jetë një nga përballjet e rëndësishme të së shtunës në Kategorinë Superiore. Vlonjatët do të mundohen të konfirmojnë vendin e dytë, duke konfirmuar një sezon pozitiv që po kalojnë.

Edhe trajneri Shpëtim Duro ka deklaruar se situata që po kalon Flamurtari këtë sezon është pozitive, teksa është stabilizuar me kalimin e javëve.

“Gjendja e skuadrës është pozitive në të gjitha aspektet. Shpresojmë që në këto dy ndeshjet e fundit që kanë mbetur për vitin 2017 të paraqitemi mirë dhe të arrijmë maksimumin”, u shpreh Duro.

Sa i përket kundërshtarit të radhës, kurbinasve të Laçit që kanë një trajner që e njeh mirë Flamurtarin, Duro shprehet me respekt.

“E respektoj Laçin sepse është një skuadër që ka bërë mirë në të gjitha sezonet e fundit. Po kalon një moment të mirë, kështu që respekti është maksimal jo vetëm për skuadrën, por edhe për trajnerin që po bën një punë të mirë atje”, tha Duro.

Ai fton tifozët të jenë në përkrahje të skuadrës kuqezi bregdetare.

“Shpresojmë që tifozët të jenë në përkrahje të skuadrës, për më tepër që Flamurtari në këtë sezon po bën mirë, më mirë sesa të gjitha sezonet e fundit. Ne i mirëpresim që të përkrahin skuadrën në këtë moment, që ta mbyllim me sukses këtë vit”, tha më tej Duro.

Ndërkohë, një mungesë e sigurtë është ajo e Busiç.

“Busiç është pika kyçe e skuadrës sonë dhe nuk do të mungojë vetëm në ndeshjen ndaj Laçit, por prej 4 javësh ose nuk është aktivizuar, ose nuk ka qenë në 100% të formës së tij. Kjo është një mungesë shumë e rëndësishme e skuadrës, por janë gjëra që ndodhin dhe duhet ta përballojmë ndeshjen edhe pa Busiç”, deklaroi Duro.

Top Channel