Ka përfunduar faza e 1/8 e Kupës së Shqipërisë, ku kryesisht kanë vendosur rezultatet e ndeshjeve të para, duke mos dhuruar surpriza.

Ndeshja me më tepër interes padyshim ka qenë klasikja e futbollit shqiptar mes Vllaznisë dhe Tiranës. Bardheblutë janë hakmarrë në një farë mënyre për zbritjen e një viti më parë nga shkodranët në Kategorinë e Parë, duke i eliminuar nga kupa e këtij viti. Ndeshja në “Loro Boriçi” përfundoi me fitoren e vendasve 1-0, por suksesi i dy javëve më parë i Tiranës me shifrat 2-0 në “Selman Stermasi” i dha mundësinë ekipit të Ze Marias të kalojë për në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Të dyja skuadrat kanë luajtur për shumë minuta me 10 lojtarë pas daljes me kartonin e kuq të Hoxhallarit dhe Krymit, të cilët kaluan në një përplasje fizike me njëri-tjetrin. Megjithatë, me nga një lojtar më pak skuadra e Ernest Gjokës bëri më mirë se Tirana, duke rrezikuar shumë që ndeshja të kalonte edhe në shtesë, por gjithsesi, goli i Kalasë mbeti i vetëm për këtë ndeshje.

Teuta ka kaluar surprizën e këtij sezoni të Superligës, Kamzën, pasi e mundi në Durrës me rezultatin 4-0, duke përfituar edhe nga dalja me karton të kuq të skuadrës së Ndreut që në pjesën e parë.

Ndërkohë, gjithçka ka qenë e thjeshtë në çiftet e tjera, ku bie në sy fitorja në tavolinë e Luftëtarit pasi Bylisi ka shkuar me vonesë në Gjirokastër e si rrjedhojë arbitri vendosi ta mbyllë ndeshjen pasi ka pritur brenda orarit të përcaktuar në rregullore prej 45 minutash.

Çiftet çerekfinale kanë prodhuar ndeshje mjaft interesante, ku bie në sy ndeshja Tirana-Kukësi, finalja e Superkupës së sezonit të shkuar, Teuta-Skëndërbeu, Flamurtari-Partizani apo Luftëtari-Laçi.

Ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do të luhen më 31 janar dhe 14 shkurt. Ndërkohë që finalja e Kupës së Shqipërisë do të luhet më 24 maj.

Top Channel